
Në 35-vjetorin e lëvizjes studentore të Dhjetorit ’90, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka përkujtuar sakrificën dhe guximin e të rinjve që ndezën fillimin e ndryshimeve demokratike në vend.
Në një mesazh të shpërndarë në Facebook, Presidenti Begaj thekson simbolikën e kësaj dite për rrugëtimin europian të Shqipërisë. Ai kujton thirrjen e fuqishme të studentëve që më 8 dhjetor 1990 mbushi rrugët e Tiranës: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”
Sipas Kreut të Shtetit, ishte pikërisht guximi i kësaj lëvizjeje rinore që çau perden e hekurt dhe hapi epokën e re demokratike për vendin.
“Çdo hap që hedhim në këtë rrugëtim nderon guximin rinor që rrëzoi perden e hekurt që e ndante Shqipërinë nga Evropa”, shkruan Begaj.
Presidenti nënvizon se aspirata europiane e shqiptarëve mbetet e pandarë nga idealet e lirisë dhe demokracisë të atyre ditëve historike, duke e lidhur trashëgiminë e Dhjetorit ’90 me zhvillimet dhe objektivat e sotme të vendit.