Vendosni fjalën kyçe....

Zbulohet teoria e re pas ngjyrës së blu të qenve endacakë në Çernobil


Një teori e re sugjeron arsyen e vërtetë prapa ngjyrës blu të ndezur të qeneve endacakë që jetojnë në zonën e përjashtimit të Çernobilit. Ndërsa fillimisht disa mendonin se kjo ngjyrë ishte rezultat i mutacioneve radioaktive, vullnetarët lokalë dhe studiuesit tani besojnë se qentë morën këtë ngjyrë duke u rrotulluar në një banjë portative të përmbysur.

Qentë me gëzof blu të ndezur u bënë viralë në tetor, pasi fotografitë e tre prej tyre u shpërndanë në Facebook nga programi “Qentë e Çernobilit”, i cili kujdeset për kafshët endacake që jetojnë rreth vendit të fatkeqësisë bërthamore të vitit 1986 në Ukrainë.

Dr. Timothy A. Mousseau nga Universiteti i Karolinës së Jugut, një bashkëpunëtor i organizatës jofitimprurëse Clean Futures Fund (CFF) dhe pjesë e programit, sqaroi situatën duke thënë se përhapja e thashethemeve se qentë ishin bërë blu për shkak të rrezatimit ishte krejt e pasaktë. “Raportet fillestare nga CFF në TikTok shkaktuan një stuhi komentesh në rrjetet sociale, ku disa sugjeruan mutacione të shkaktuara nga rrezatimi dhe një lloj përshtatjeje evolucionare ndaj mjedisit,” tha Mousseau.

Ai shtoi: “Asgjë nuk mund të ishte më larg të vërtetës. Ngjyra blu ka të ngjarë të ketë ardhur nga një banjë portative e përmbysur ku qentë po rrotulloheshin, siç kanë prirje të bëjnë qentë – mendoni tek kutitë e plehrave të maceve!” Mousseau nënvizoi gjithashtu se ngjyra blu ishte thjesht një shenjë e sjelljes jo-higjenike të qenve: “Siç e dinë çdo pronar qeni, shumica e qenve hanë pothuajse gjithçka, përfshirë jashtëqitjen.”

Rreth 700 qen jetojnë brenda zonës së përjashtimit prej 18 miljesh katrore rreth ish-centralit bërthamor dhe kujdesen nga programi “Qentë e Çernobilit” që nga viti 2017. Këto kafshë janë pasardhëse të kafshëve shtëpiake që u braktisën kur banorët evakuan zonën pas fatkeqësisë. Që nga largimi i njerëzve rreth 40 vjet më parë, kafshët e egra janë zhvilluar dhe lulëzuar në këtë territor.

Një studim i vitit 2024 zbuloi se disa prej qenve në zonë kishin zhvilluar një mutacion që u jepte imunitet ndaj rrezatimit, ndotjes dhe metaleve të rënda. Megjithatë, nivelet e rrezatimit mbeten gjashtë herë më të larta se ato të lejuara për punëtorët njerëz, dhe ekspertët paralajmërojnë se zona nuk do të jetë e banueshme për rreth 3,000 vjet, shkruan New York Post.