Vendosni fjalën kyçe....

Hegseth: Do rivendosim dominimin ushtarak në Hemisferën Perëndimore


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të “rivendosin dominimin e tyre ushtarak” në Hemisferën Perëndimore, ndërsa Uashingtoni po e zhvendos zyrtarisht fokusin e politikës së tij të sigurisë kombëtare drejt rajonit të vet gjeografik.

Hegseth theksoi se Doktrina Monroe, e cila që nga viti 1823 e përkufizoi Hemisferën Perëndimore si zonë me ndikim të SHBA-së, “është ende në fuqi” dhe sot është “më e fortë se kurrë”. Ai shtoi se Pentagoni do ta vendosë “mbrojtjen e atdheut amerikan dhe të hemisferës sonë” si prioritetin kryesor të veprimtarisë së tij.

Deklaratat e tij u bënë gjatë një fjalimi në Forumin Kombëtar të Mbrojtjes Reagan, të mbajtur të shtunën në Kaliforni, vetëm një ditë pasi Shtëpia e Bardhë publikoi Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare (NSS). Dokumenti e rendit Hemisferën Perëndimore si përparësinë kryesore të “interesave thelbësore dhe jetike” të SHBA-së.

Strategjia gjithashtu e ul theksin mbi rivalitetin me Kinën dhe Rusinë, krahasuar me administratën e Presidentit Joe Biden, dhe heq dorë nga përshkrimi i Pekinit dhe Moskës si “fuqi revizioniste”, term i përdorur gjatë mandatit të parë të Presidentit Donald Trump.

Dokumenti i dytë strategjik i Trump përfshin atë që cilësohet si një “Korolar i Trump” ndaj Doktrinës Monroe, duke sinjalizuar mundësinë e rritjes së pranisë ushtarake amerikane në Hemisferën Perëndimore përmes shtimit të trupave, bazave dhe operacioneve. Ai parashikon gjithashtu një ndryshim në mënyrën se si forcat e armatosura amerikane dislokohen globalisht, me synimin për t’iu përgjigjur “kërcënimeve urgjente” në rajon.

Operacionet aktuale dhe polemikat

Aktualisht, SHBA ka dislokimin më të madh të anijeve të saj luftarake në Karaibe, me më shumë se një duzinë anijesh dhe mbi 14,000 trupa të vendosur në rajon. Uashingtoni ka kryer 22 sulme kundër anijeve të dyshuara për kontrabandë droge në Karaibe dhe në Paqësorin Lindor, operacione që kanë rezultuar me vdekjen e të paktën 87 personave. Ndërkohë, po shqyrtohet edhe mundësia e sulmeve në territorin venezuelian.

Hegseth, i cili këtë javë është përballur me polemika lidhur me ligjshmërinë e një sulmi të dyfishtë që shënoi fillimin e fushatës amerikane kundër trafikimit, i mbrojti këto veprime duke deklaruar se ato kanë si synim “parandalimin dhe mbrojtjen e interesave kombëtare të SHBA-së kundër kërcënimeve të tjera” në hemisferë.

I pyetur më vonë nëse do të publikoheshin pamjet e plota video të sulmit fillestar të 2 shtatorit dhe të sulmit pasues, ku u vranë dy persona që kishin mbijetuar fillimisht, Hegseth nuk mori një angazhim të qartë. Publikimi i këtyre pamjeve është kërkuar nga ligjvënës në Capitol Hill dhe Presidenti Trump ka lënë të kuptohet se do të ishte i hapur ndaj kësaj ideje.

“Ne po e shqyrtojmë çështjen… është një operacion ende në zhvillim,” deklaroi Hegseth para audiencës në Kaliforni.

Ai u distancua nga vendimi për të autorizuar sulmin e dytë, duke thënë se nuk ndodhej në dhomë në momentin e marrjes së vendimit dhe nuk e kishte dhënë personalisht urdhrin. Megjithatë, ai theksoi se e mbështet plotësisht vendimin dhe se do të kishte vepruar në të njëjtën mënyrë.

Në fjalimin e përgatitur, Hegseth tha se Departamenti i Mbrojtjes është i përgatitur të garantojë “qasjen ushtarake dhe tregtare të SHBA-së në pika strategjike” si Kanali i Panamasë, Karaibet, Gjiri i Amerikës, Arktiku dhe Grenlanda.

Ai shtoi se edhe vendet fqinje të SHBA-së duhet të kontribuojnë më shumë në këtë përpjekje. Sipas tij, Meksika ka bërë përparime në këtë drejtim, por Uashingtoni pret rezultate më të shpejta dhe më të dukshme.

“Ne gjithashtu do t’u mohojmë kundërshtarëve aftësinë për të vendosur forca ose kapacitete të tjera kërcënuese në hemisferën tonë,” deklaroi Hegseth.

Kina dhe aleatët: prioritetet pasuese

Sipas Hegseth, prioriteti i dytë strategjik i Pentagonit do të jetë “parandalimi i Kinës përmes forcës, jo përmes konfrontimit të drejtpërdrejtë”. Kjo do të pasohet nga një rritje e “ndarjes së barrës” mes SHBA-së dhe aleatëve të saj, si edhe nga forcimi i bazës industriale të mbrojtjes amerikane.

Qasja e Uashingtonit ndaj Pekinit, tha ai, nuk do të synojë dominimin absolut, por krijimin e një “ekuilibri fuqie”. SHBA do të projektojë forcë, por pa qenë “konfrontuese pa nevojë”.

“Është detyra jonë të sigurohemi që Pekini ta kuptojë qartë forcën ushtarake të padiskutueshme të SHBA-së,” tha Hegseth, duke shtuar se kjo nënkupton edhe që Kina të respektojë interesat amerikane në rajonin Indo-Paqësor. Ai pranoi gjithashtu se kjo do të thotë të merret parasysh ndërtimi i madh ushtarak që Kina po ndërmerr, shkruan Financial Times.

Sekretari i Mbrojtjes pranoi se ekzistojnë kërcënime serioze edhe në Evropë dhe në Lindjen e Mesme.

“Ne nuk mund t’i injorojmë këto kërcënime, as nuk duhet,” tha ai, por theksoi se vendet e këtyre rajoneve nuk mund të vazhdojnë të mbështeten në mënyrë disproporcionale te mbrojtja e ofruar nga Shtetet e Bashkuara.