Vendosni fjalën kyçe....

Skema e re e TVSH-së, fati i fermerëve në dorë të grumbulluesve


Qeveria premtoi barazim të TVSH-së për fermerët, por nga viti tjetër do të zbatojë një skemë kompensimi me kushte që rrezikojnë të ‘djegin’ shumicën e fermerëve. Me të dhënat aktuale, mbi 100 mijë fermerë nuk i përmbushin kriteret e kompensimit 10% të TVSH-së.

Kur prezantoi skemën e rë të kompensimit 10% të tatimit mbi vlerën e shtuar për prodhuesit bujqësor, ministri i Financave, Petrit Malaj, tha se synimi ishte t’i vinin në ndihmë fermerëve të vegjël. 

“Skema përpiqet të ndihmojë fermerët e vegjël, të cilët, janë fermerë të bazuar në një NIPT, marrin disa subvencione nga shteti dhe pjesë e këtyre subvencioneve është dhe skema e kompensimit të TVSH-së”  tha Malaj më 17 nëntor në komisionin parlamentar të Ekonomisë. 

Mirëpo, skema e re ka disa kufizime të cilat rrezikojnë të nxjerrin jashtë loje fermerët e vegjël. Ndryshimet në ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar që po diskutohen në komisionet parlamentare, përcaktojnë si përfitues vetëm fermerët e pajisur me NIPT pranë administratës tatimore.Skema e re përjashtuon ata fermerë që janë të regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit.  

“Ky fermer i cili është i regjistruar në QKB, është i vetpunësuar, aktiviteti i tij është në sektorin bujqësor apo blegtoral nuk ka se si i kompensohet 10% për arsye sepse ky është njëlloj si çdo i vetpunësuar tjetër”, argumentoi Arjana Dyrmishi, Drejtoresha e Përgjithshme e Politikave Tatimore në Ministrinë e Financave. 

Kufizimet që penalizojnë fermerët 

Të dhënat e Administratës Tatimore tregojnë se në Shqipëri janë të regjistruar 111,600 fermerë me NIPT. Por deri në shtator, më pak se 10% e tyre janë të pajisur me autofatura. Konkretisht vetëm 10,149 fermerë u kanë shitur prodhimet bizneseve realisht. Këta janë të vetmit që përfitojnë 10% kompensim. Mbi 100 mijë fermerë të tjerë rrezikojnë të mos marrin asgjë.

Edhe më problematik është kufizimi tjetër në skemën e re.

Kompensimi jepet vetëm nëse prodhimi shitet te një subjekt i regjistruar për TVSH-në (grumbullues, përpunues apo agroturizëm i certifikuar). Me këtë formulim, fermeri i vogël që shet në treg apo te një pikë të zakonshme shitjeje del automatikisht i përjashtuar. Pra, për të marrë kompensimin, ai nuk është i lirë të shesë ku të dojë por duhet të shesë aty ku e udhëzon skema.

“Trajtimi si sa më sipër, nëpërmjet skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë, synon të kontribuojë në forcimin e ekonomisë dhe formalizimin e sektorit bujqësor, duke nxitur pajtueshmërinë e zbatueshmërinë nga ana e palëve të përfshira në transaksion”, argumentohet në projektligj. 

Për të marrë 10% kompensim, fermeri duhet të dorëzojë kërkesën pranë tatimeve bashkë me autofaturat ku figuron NIPT-i i tij, si dhe numrin e llogarisë bankare. Afatet ndahen në dy periudha gjashtëmujore dhe administrata tatimore ka 30 ditë për të kryer pagesën.

Premtimi që u shua

Në korrik, në Dialogun për Bujqësinë në Cërrik, kryeministri Edi Rama e tha qartë se skema e TVSH-së duhej të “njësohej”. Ndryshe nga sa po diskutohet tani në parlament, premtimi i kryeministrit nuk ishte për kompensim, por barazim të TVSH-së në shitje dhe blerje. 

“Një tjetër element shumë i qartë për të kaluar tek një gjë më e madhe është që duhet të njësojmë TVSH”, tha Rama.

Por vetëm pak javë më vonë, në programin “Shqipëria 2030”, qeveria ndryshoi pozicion. 

“Rishikojmë skemën e TVSH-s për fermerët bazuar në praktikat më të mira të BE me një efekt financiar prej rreth 1.5 mld lekë/vit transfertë direkte tek fermerët”, shkruhet në program. 

Opozita dhe deputeti socialist Erion Braçe propozuan barazimin e TVSH-së gjatë diskutimeve në komisionin parlamentar të ekonomisë. Por përfaqësuesit e ministrisë së financave e hodhën poshtë.

“T’i ngelemi propozimit që ka ardhur nga Këshilli i Ministrave”, pohoi zëvendësministri i Financave Endrit Yzeiraj.

Përfundim

Qeveria po rishikon skemën e TVSH-së vitin e ardhshëm, por përmes kompensimit direkt dhe jo barazimit të TVSH-së në shitje dhe blerje. Ndaj, nisur nga informacionet e mbledhura, premtimin e kryeministrit Edi Rama se TVSH-ja për fermerët do të njësohet, e kategorizojmë si të pambajtur.  

VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e Faktoje.al