Vendosni fjalën kyçe....

Berisha vijon “foltoren e dytë” në Mirditë: Kjo është foltorja e jetës sime, për demokracinë, familjen dhe Shqipërinë


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një takim në Mirditë duke çelur zyrtarisht turin e tij të dytë të foltores, pas asaj të vitit 2021.

Në fjalën e tij para mbështetësve, Berisha theksoi se ka zgjedhur Mirditën si pikënisje për shkak të qëndrimit të fortë opozitar të kësaj zone, që sipas tij “e ka ndëshkuar dy herë me votë kryeministrin Edi Rama”.

“Vij tek ju me ndjenjat më të thella të mirënjohjes, përulem para mençurisë, guximit dhe dinjitetit tuaj,” u shpreh Berisha, duke e cilësuar Mirditën shembull të qytetarëve që “ndahen nga e keqja dhe i japin asaj atë që meriton”.

Ai akuzoi qeverinë për propagandë “që barazohet me atë të viteve të errëta të komunizmit”, ndërsa shtoi se vota e mirditorëve ka qenë dëshmi e rezistencës ndaj pushtetit.

Berisha e cilësoi turin e ri politik si më të rëndësishmin e karrierës së tij:

“Kjo është foltorja e jetës sime. Është për demokracinë, për familjen dhe për Shqipërinë.”

Duke bërë një krahasim me turin e parë të foltores, ai deklaroi se në atë kohë “u shpëtua ekzistenca e opozitës”, ndërsa sot qeveria përpiqet ta shndërrojë opozitën “në stoli të një armiku të egër të kombit shqiptar”.

Gjatë fjalës së tij, Berisha sulmoi ashpër kryeministrin Edi Rama.

“Në histori nuk ka pasur pushtues apo regjim që të ketë zhbërë shqiptarët në 10 vite sa Edi Rama. Shikoni fshatrat e Mirditës, ku janë njerëzit, ku janë nxënësit, ku janë fëmijët? Kështu është e gjithë Shqipëria.”– tha Berisha.

Ai theksoi se vendi po përjeton boshatisjen më të madhe demografike që nga ekzistenca e tij, duke e cilësuar këtë situatë pasojë të “keqqeverisjes dhe arrogancës së pushtetit aktual”.

Berisha pritet të vijojë takimet në qarqe të tjera si pjesë e turit të tij të dytë të foltores.