Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: Barazia gjinore është testi i vërtetë i demokracisë. Propozon masa të reja për mbrojtjen e gazetarëve


Në një aktivitet të dedikuar rolit të medias dhe barazisë gjinore, deputetja e Partisë Demokratike dhe Kryetarja e Komisionit të Medias dhe të Drejtave të Njeriut, Jorida Tabaku, mbajti një fjalë duke artikuluar, duke ngritur çështjet strukturore që pengojnë përparimin e grave në Shqipëri dhe sfidat me të cilat përballen gazetarët.

Tabaku theksoi se barazia gjinore në Shqipëri nuk mund të trajtohet si luks apo si temë dytësore, por si provë e sinqertë e drejtësisë së sistemit dhe funksionimit të demokracisë.

Duke u mbështetur në përvojën e saj 12-vjeçare në politikë, ajo vuri në dukje se rritja e numrit të grave në institucione është e rëndësishme, por jo e mjaftueshme nëse këto gra nuk kanë hapësirë reale për të kontribuar në vendimmarrje.

“Simbolika nuk është përparim, por iluzion,” u shpreh Tabaku, duke nënvizuar se sistemi aktual shpesh nuk funksionon për shumicën e grave — nga gazetaret e terrenit, tek gratë sipërmarrëse, gratë e fermave, vajzat e reja që përballen me barriera të padukshme dhe emigrantet që mbajnë më shumë se një barrë mbi shpatulla.

Në fjalën e saj, Tabaku vendosi theksin edhe tek roli i medias, të cilën e konsideroi një aktor kyç jo vetëm për kriticizëm, por edhe për ndryshim.

Ajo lëvdoi gazetaret dhe drejtueset e mediave që me profesionalizëm dhe guxim kanë ngritur standarde të reja, por paralelisht ngriti shqetësimin për presionet, autocensurën dhe format e intimidimit me të cilat gazetarët përballen çdo ditë.

Në këtë kuadër, Tabaku bëri të ditur se ka depozituar në Kuvend një paketë ndryshimesh në Kodin Penal, që synojnë të forcojnë mbrojtjen e gazetarëve, veçanërisht nga paditë SLAPP, kërcënimet dhe shpifjet e qëllimshme që synojnë t’i heshtin. Sipas saj, këto nisma nuk janë favore për median, por investime direkte në demokracinë shqiptare.

“Këto ndërhyrje janë të domosdoshme në një sistem që shpesh prodhon presion të heshtur ndaj gazetarëve. Media e lirë është shtylla e një shteti të drejtë,” deklaroi ajo.

Në mbyllje të fjalës, Tabaku bëri thirrje për një aleancë më të gjerë shoqërore: mes politikës, institucioneve, medias, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë, për të ndërtuar një Shqipëri ku barazia gjinore nuk mbetet slogan, por realitet i prekshëm.