
Mijëra protesta u zhvilluan të dielën në Filipine, ku qytetarët kërkuan veprime të menjëhershme ndaj zyrtarëve të implikuar në një skandal të madh korrupsioni që përfshin projekte infrastrukturore me vlerë miliarda dollarë. Grupet e majta organizuan një nga protestat kryesore në Manila, duke kërkuar dorëheqjen dhe ndjekjen penale të të gjithë zyrtarëve të përfshirë, përcjell DW.
Presidenti Ferdinand Marcos Jr. prej muajsh përballet me pakënaqësinë e opinionit publik, ndërsa janë zbuluar abuzime masive në projektet e kontrollit të përmbytjeve në arkipelagun që shpesh goditet nga fatkeqësi natyrore. Pak ditë më parë, tetë zyrtarë të Departamentit të Punëve Publike dhe Autostradave u arrestuan, ndërsa qeveria paralajmëroi se “peshqit e mëdhenj po vijnë”.
Kisha Katolike Romake mbështeti protestat në të gjithë vendin, ndërsa tubimi kryesor u zhvillua në monumentin simbolik të “people power” në autostradën EDSA të kryeqytetit. Për sigurinë u angazhuan rreth 17 mijë oficerë policie, ndërsa sipas autoriteteve, rreth 5 mijë protestues — shumica të veshur me të bardha — morën pjesë në demonstrata.
Në Luneta Park, pranë pallatit presidencial, protestuesit mbanin pankarta në formë krokodili, simbol i korrupsionit në Filipine, duke kërkuar t’i jepet fund abuzimeve të sistematizuara me fondet publike. “Ka njerëz që kanë vdekur për shkak të korrupsionit që po ndodh,” tha për AFP 20-vjeçarja Jessie Wanaluvmi J., performuese drag, para daljes së saj në skenë.
Filipinet kanë një histori të gjatë skandalesh financiare, dhe që nga korriku — kur Marcos ngriti për herë të parë alarmin për këtë çështje — të paktën shtatë punonjës të sektorit publik janë arrestuar për abuzim me fonde publike dhe akuza të tjera korruptive vetëm në një prej projekteve të kontrollit të përmbytjeve. Hetimet pritet të zgjerojnë më tej përgjegjësit që fshihen pas skandalit.