
Në vitin 2024, rreth 35 milionë njerëz në botë u identifikuan si nomadë dixhitalë, përfshirë 16.9 milionë amerikanë me të ardhura mesatare 123,500 dollarë.
Jeta e nomadit dixhital shihet shpesh si aventurë e pafundme, por realiteti shpesh është më kompleks: internet i pasigurt, viza të kufizuara, kriminalitet dhe barriera kulturore që mund ta kthejnë “ëndrrën” në stres.
Sipas Marie DeCosse (NOMAD Travel Groups), shumë sfida shfaqen vetëm pasi nomadët mbërrijnë në destinacion.
Italia, për shembull, ka proces të paqartë vizash freelance; në Tajlandë, mbështetja te vizat turistike sjell rreziqe të gjobave apo ndalimeve; ndërsa në Indonezi, viza “second-home” kërkon depozitë të lartë financiare.
Pavarësisht teknologjisë, kufijtë ligjorë, tatimet dhe kufizimet e punës e vështirësojnë jetën në distancë.
Rreziqet shtohen për gratë dhe komunitetet e margjinalizuara: ngacmimet në Marok, homofobia në disa vende të Europës Lindore, apo profilizimi racor në Meksikë dhe Kolumbi ndikojnë drejtpërdrejt mirëqenien dhe aftësinë për të punuar.
Destinacionet problematike:
– Indonezia (Bali): internet i pasigurt, mungesë infrastrukture, trafik i rënduar.
– Meksika (Tulum): Wi-Fi i dobët, rritje çmimesh, shërbim i kufizuar shëndetësor.
– Portugalia (Lisbonë): turizëm masiv, qira të larta, rregulla komplekse fiskale.
– Kolumbia (Medellín): siguri e paqëndrueshme, internet i luhatshëm, kufizime bankare.
– Brazili: kriminalitet urban dhe internet i paqëndrueshëm.
– Ekuadori: viza kufizuese për nomadët dhe proces i ngadaltë miratimi.
– Bahamas & Bermuda: kosto shumë të larta dhe infrastrukturë interneti e kufizuar.
Vendet me rreziqe të theksuara (si Venezuela, Nigeria apo disa zona të Afrikës dhe Lindjes së Mesme) vuajnë nga pasiguria, inflacioni, energjia e paqëndrueshme dhe interneti i dobët, por enklava më të qëndrueshme ekzistojnë për nomadët me përvojë që marrin masa sigurie.
Sipas DeCosse, gabimi më i madh i fillestarëve është të heqin dorë nga shtëpia dhe të zhvendosen menjëherë.
Ajo sugjeron testimin e vendeve përpara angazhimit afatgjatë, sepse pamja, çmimi apo trendet në Instagram shpesh fshehin sfida për infrastrukturën, kulturën apo sigurinë./Monitor