Vendosni fjalën kyçe....

Tedi Kopliku pas takimit me Salianjin: Jo rrymë e re në PD, vetëm një kafe mes demokratësh


Sali Berisha është shprehur se nuk ka asnjë shqetësim lidhur me takimin e zhvilluar një ditë më parë mes Ervin Salianjit dhe kandidatëve më të votuar në primaret dhe listat e hapura të 11 majit, duke mohuar se bëhet fjalë për një rrymë të re brenda Partisë Demokratike.

Të njëjtin qëndrim mban edhe ish-kandidati Tedi Kopliku, i cili ndonëse ishte pjesë e tryezës, theksoi se bëhej fjalë për një bisedë të zakonshme mes demokratësh.

Berisha deklaroi se “takimet në kafe nuk meritojnë të komentohen”, duke sfumuar çdo aludim për krijimin e një grupimi anti-Berisha.

Edhe Tedi Kopliku, ndër më të votuarit në qarkun Shkodër dhe aktualisht drejtues i departamentit Brain Gain në PD, u kujdes të theksonte se takimi nuk kishte karakter politik apo nismë të re brenda partisë.

“Ky ishte një takim si dhjetëra të tjera që demokratët bëjnë mes njëri-tjetrit, për një kafe. Isha thirrur nga Ilir Alimehmeti. Ishte një diskutim mes njerëzve që kanë marrë më shumë vota, por nuk është e thënë që të jetë lëvizje. Lëvizjet dhe referendumet nuk bëhen me një takim në kafe, pavarësisht dëshirës së medias për të krijuar furtunë në një gotë kafeje,” u shpreh Kopliku.

Ai shtoi se selia blu ka artikuluar vetë nevojën për një analizë të brendshme pas zgjedhjeve:
“Nuk mund të trajtohemi si grup. Patjetër që ka nevojë për analizë, e ka artikuluar vetë PD.”