Vendosni fjalën kyçe....

Lideri shpirtëror i komunitetit druiz të Izraelit i bën apel Trumpit: SHBA duhet të garantojë mbrojtjen e minoriteteve në Siri



Sheikh Mowafaq Tarif, lideri shpirtëror i komunitetit druiz të Izraelit me rreth 150 mijë anëtarë, i ka bërë thirrje presidentit amerikan Donald Trump të ndërhyjë për të garantuar mbrojtjen dhe dinjitetin e minoriteteve në Siri.

Në një intervistë për The Jerusalem Post, ai tha se vetëm SHBA-ja ka fuqinë të ushtrojë ndikim real mbi regjimin e ri sirian të udhëhequr nga Ahmed al-Sharaa.

“Sot Amerika është lidere e botës. Ajo duhet të mbrojë të gjitha minoritetet, duke punuar për paqen që të mbretërojë në mbarë botën,” u shpreh sheiku, duke theksuar se pavarësisht shpresave, regjimi i ri nuk po sjell ndryshim dhe dhuna ndaj minoriteteve vazhdon.

Gjatë një vizite në një qendër komandimi të komunitetit druiz në veri të Izraelit, gazetarëve u janë paraqitur video dhe materiale që, sipas tyre, dokumentojnë tortura, ekzekutime, përdhunime, rrëmbime dhe dhunë të koordinuar ndaj civilëve druizë.

Sipas këtyre dëshmive, sulmues të lidhur me milicitë proqeveritare, grupe ekstremiste si ISIS dhe luftëtarë të huaj kanë përdorur uniforma dhe automjete zyrtare për të kryer mizori në fshatrat druize. Ndërsa autoritetet siriane thonë se kanë arrestuar disa zyrtarë lokalë, nuk ka transparencë mbi numrin e të ndaluarve apo përmasat e vërteta të masakrave.

Organizatat vullnetare raportojnë se mbi 500 persona janë rrëmbyer, mes tyre dhjetëra gra dhe vajza, ndërsa dhuna seksuale është përdorur si mjet poshtërimi. Sheikh Tarif ka folur publikisht për rastet e përdhunimeve, përfshirë atë të një vajze pesëvjeçare, duke kërkuar që komuniteti ndërkombëtar të mos e mbyllë sytë para kësaj tragjedie.

Pavarësisht vuajtjeve, sheiku beson se regjimi sirian mund të tregojë vullnet për ndryshim “që nesër”, duke liruar pengjet dhe duke lejuar kthimin e banorëve në fshatrat e tyre. Por sipas tij dhe vullnetarëve të qendrës, bota po zgjedh të mos i dëgjojë këto thirrje, sepse minoritetet, që përbëjnë një pjesë të vogël të popullsisë siriane, nuk shihen si prioritet në lojën gjeopolitike.

Ndërkohë, tensionet etnike janë përhapur në gjithë Sirinë, ku druizët raportojnë diskriminim sistematik, mungesë qasjeje në shërbime mjekësore dhe punësim, dhe kërcënime direkte sapo zbulohet përkatësia e tyre. Edhe komuniteti alavit është goditur rëndë nga dhuna e milicive, me fshatra të djegura dhe qindra të vrarë, gjë që ka shtyrë disa udhëheqës alavitë të kërkojnë vetëvendosje për t’u mbrojtur.

Në këtë klimë pasigurie, ndihma që druizët e Sirisë marrin nga familjarët e tyre në Izrael është bërë jetike, sidomos ndërsa dimri afrohet dhe pengesat e autoriteteve siriane po e vështirësojnë çdo formë ndihme. Për shumë druizë, shpresa e fundit mbetet ndërhyrja e SHBA-së dhe ndikimi i presidentit Trump, të cilit i kërkojnë të garantojë sigurinë e minoriteteve dhe të ndalë dhunën që prej vitesh ka shënjuar fatin e tyre.