Vendosni fjalën kyçe....

Minatorët e Spaçit njoftojnë protestë më 27 Nëntor


Minatorët e Spaçit kanë njoftuar se të enjten, më 27 Nëntor 2025, në ora 12:00, do të zhvillohet një protestë dhe tubim në hyrje të “Rrugës së Mundimeve”, në daljen e Autostradës së Kombit.

Sipas Komisionit të Grevës, minatorët mbeten të vendosur të vazhdojnë protestën dhe grevën, duke theksuar se kjo vjen pas qëndrimit, siç e përshkruajnë ata, “mospërfillës, arrogant dhe antiligjor” të punëdhënësit, si edhe ndaj indiferencës së Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, institucioni përgjegjës për ndërmjetësimin dhe mbylljen e grevës sipas parashikimeve ligjore.

Në njoftim, Komisioni i Grevës u bën thirrje komunitetit mirditor, autoriteteve publike e politike, pushtetit vendor dhe qendror, medias, intelektualëve dhe deputetëve të zonës, pa dallime politike, që t’i bashkohen protestës dhe të bëhen zëri i minatorëve.

 Ata akuzojnë kompaninë turke “Tete Albania Tunnel & Mining” Sh.a. për “propagandë, shpifje dhe mashtrim”, ndërsa shprehen se minatorët janë të gatshëm të paguajnë çdo çmim për kauzën e tyre, dinjitetin dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Njoftimi mbyllet me thirrjen: “Të gjithë së bashku pa dallime politike, fetare, etnike e krahinore me Minatorët dhe për Minatorët!”

 

Njoftimi

Spaç, me datë 27 Nëntor, ora 12:00, Protestë dhe Tubim në sheshin, në hyrje të rrugës së “Mundimeve” në dalje të autostradës së Kombit!

Minatorët të vendosur më shumë se kurrë për të protestuar dhe vazhduar grevën!

Ditën e enjte me datë 27 Nëntor 2025, në orën 12:00, të gjithë së bashku të protestojmë në hyrjen e rrugës së “Mundimeve” në dalje të autostradës së Kombit!

Të nisur nga qëndrimi mospërfillës, arrogant dhe antiligjor i punëdhënësit si dhe indiferenca e Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit si ministria përgjegjëse ligjërisht por dhe e ngarkuar posaçërisht nga strukturat e Parlamentit për të negociuar me palët dhe mbyllur grevën e minatorëve sipas ligjit e në zbatim të tij:

Komisioni i Grevës ju bën thirrje komunitetit mirditor, autoriteteve publike, politike, të pushtetit vendor dhe qëndror, medias, intelektualëve mirditorë si dhe deputetëve të zonës pa dallime politike t’i bashkohen protestës tonë, të bëhen zëri ynë publik për t’u dëgjuar nga veshët e pushtetit të zënë nga propoganda, shpifja dhe mashtrimi i punëdhënësit, Kompania turke “Tete Albania Tunnel & Minning” Sh.a.

Minatorët e Spaçit të mbështetur nga Sindikata e tyre janë të gatshëm të paguajnë çdo çmim, sado i lartë të jetë ai për kauzën e tyre, për dinjitetin e tyre dhe për nderin e respektin e familjeve të tyre e të ardhmen e fëmijëve të tyre!

Të gjithë së bashku pa dallime politike, fetare, etnike  e krahinore me Minatorët dhe për Minatorët!