Vendosni fjalën kyçe....

Dyshohet i njëjti autor për tritolin ndaj Mziut dhe gjashtë shpërthimeve të tjera në Tiranë



Hetuesit dyshojnë se autori i vendosjes së tritolit në banesën e deputetit të PD Xhelal Mziu është i njëjti person që ka kryer edhe ngjarje të tjera të ngjashme. Grupi hetimor po analizon të dhënat e mbledhura dhe ka dyshime se ky individ mund të jetë i përfshirë në një sërë shpërthimesh të ndodhura gjatë vitit të fundit.

Pamjet nga disa ngjarje tregojnë një skemë të përsëritur: autori shfaqet i maskuar si punëtor ose i veshur me rroba të errëta dhe largohet me biçikletë nga vendi i ngjarjes.

Ndërkohë, kanë dalë detaje të reja për tritolin e vendosur në lokalin në Kamëz, për të cilin policia ka arrestuar tre persona: Jeton Lami, Florin Domi dhe Flogert Mzhika. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se disa ditë para shpërthimit, Florin Domi – që ka një biznes pranë lokalit – ka thirrur pronarin Saimir Sina, duke i thënë se po e kërkonte Jeton Lami. Gjatë takimit, Lami dyshohet se e ka kërcënuar Sinën, duke i kërkuar 500 mijë euro, me pretendimin se “i kishte kundërshtuar”, ndërkohë që pronari është përgjigjur se nuk i njihte fare. Sina ka refuzuar të japë para dhe pak ditë më vonë është larguar drejt Italisë, ku dhe jeton.

Gjithashtu, sipas burimeve, Flogert Mzhika më pas ka kontaktuar dy kunetërit që menaxhonin me qira lokalin, duke i paralajmëruar se “nuk do ta gëzonin dot” biznesin.

Autori i dyshuar i vendosjes së tritolit, që mendohet të jetë pjesë e këtij grupi, ende nuk është identifikuar nga policia. Hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjeve dhe lidhjet mes tyre.