Vendosni fjalën kyçe....

Nis bora, sipërfaqe të mëdha toke e qindra banesa në mbarë vendin ende nën ujë


Në rajonet verore e verilindore të vendit kanë nisur reshjet e borës ndërsa shirat që kanë rënë prej disa ditësh kanë shkaktuar dëme të shumta në topka e banesa sidomos në zonat e ultësirës perëndimore, jug e juglindje.

Në qarkun e Fierit dhjetëra banesa kanë prani uji ndërsa në qarkun e Korçës dhjetëra banesa janë nën ujë në Pustec e Pogradec. Dhjetëra fermerëve në Fier e Lushnjë u janë përmbysur serrat dhe tokat bujqësore. Ata janë ankuar se nuk kanë pasur asnjë ndihmë nga pushteti vendor dhe as ai qendror.

Në qarkun e Korçës reshje bore ka pasur në Vithkuq, Dardhë e Shtyllë.

Niveli i lumenjve Vjosë, Seman e Shkumbin nuk është rritur më ndërsa uji ka nisur të tërhiqet disi nga tokat bujqësore.

Në rrugën Bogë-Theth, trashësia e dëborës ka arritur në 4 cm, ndërsa reshje janë regjistruar edhe në rrugën Hani i Hotit-Dogana Vermosh, në lartësi mbi 1000 metra.

Gjendja ka qenë problematike në ultësirën perëndimore ku ka pasur përmbytje në Lezhë e Kurbin ku ka mbi 220 hektarë tokë bujqësore të përmbytur. Ka nisur puna për riparimin e argjinaturave në Lezhë e Kurbin.

Si pasojë e motit të keq, rrëshqitje masive dheu dhe shkëmbinjsh kanë bllokuar qarkullimin në aksin Qukës-Qafë Plloçkë. Situatë e ngjashme paraqitet edhe në rrugën e Bovillës, ku disa fshatra kanë mbetur të izoluar.

Në Bulqizë terminali i autobusëve është ende i përmbytur prej rreth një jave. Rrëshqitje të rrugës ka pasur edhe në rrugën Korçë-Ersekë dhe në rrugën e re të çerenecit në Bulqizë.