
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi sot edhe ndaj deklaratave të komisioneres së zgjerimit të BE-së, Marta Kos, duke e akuzuar atë se po mbron qeverinë e korruptuar të Edi Ramës dhe po relativizon shkeljet e rënda në garat publike dhe proceset zgjedhore.
Bardhi kundërshtoi deklaratën e Kos-it se “raste të tilla ndodhin kudo”, duke e sfiduar atë dhe zyrtarët e tjerë të Bashkimit Europian të gjejnë një rast të ngjashëm me atë të tunelit të Llogarasë.
“E sfidoj komisioneren e zgjerimit dhe çdo zyrtar të BE-së që të gjejë një kryeministër, që para se të zbardhet gara rreth 200 milionë euro, shkon kryeministri dhe zv.kryeministri për të takuar kompaninë dhe më pas hapin garën dhe ia japin kompanisë së paracaktuar. Nëse komisionerja Kos gjen një rast të tillë, e pranojmë,” deklaroi Bardhi.
Ai theksoi se në Europë nuk ka praktika të tilla dhe se komisionerja duhet t’i qëndrojë standardeve që përfaqëson.
“Dua të siguroj shqiptarët se Europa s’ka raste të tilla. Çdo shqiptar pret nga komisionerja që në deklaratat e saj të flasë për standardet europiane dhe jo të mbulojë korrupsionin e Edi Ramës,” u shpreh ai.
Bardhi komentoi edhe deklaratën e Kos për raportin e OSBE-së mbi zgjedhjet e 11 majit, duke thënë se ajo bëri një pohim të pavërtetë që nuk është thënë nga asnjë institucion ndërkombëtar.
“Dua të jem i drejtpërdrejtë edhe për reagimin e saj për raportin e OSBE-së. Këtë se tha as Edi Rama. Me këtë deklaratë do të turpërohej dhe vetë Edi Rama. Komisionerët e OSBE-së s’e thanë në asnjë fjalë dhe asnjë gërmë atë pohim,” deklaroi Bardhi.
Sipas tij, komisionerja Kos ka detyrimin të jetë e qartë dhe e sinqertë me qytetarët shqiptarë, duke mos mbuluar skandalet që, sipas opozitës, përmbysin çdo standard të BE-së.