
Një faqe në internet e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) u ndryshua të mërkurën duke sfiduar përfundimin shkencor të pranuar prej dekadash se vaksinat nuk shkaktojnë autizëm, gjë që ka shkaktuar indinjatë të ekspertëve të shëndetit publik dhe të autizmit.
Faqja e CDC-së mbi “sigurinë e vaksinave” tani deklaron se “shprehja ‘Vaksinat nuk shkaktojnë autizëm’ nuk është një pretendim i bazuar në prova”.
Ndryshimi vjen pas veprimeve të Departamentit Amerikan të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Humanitare (HHS) për të rivlerësuar konsensusin shkencor të gjatë mbi sigurinë e vaksinave dhe produkteve të tjera farmaceutike, përcjell AP.
“Jemi të shokuar që përmbajtja e faqes ‘Autizmi dhe Vaksinat’ është ndryshuar dhe është e mbushur me retorikë anti-vaksinë dhe gënjeshtra të qarta për vaksinat dhe autizmin,” tha Autism Science Foundation.
Shkencëtarët janë të qartë: dekada studimesh nuk kanë treguar lidhje midis vaksinave dhe autizmit.
“Përfundimi është i qartë dhe i paanshëm,” tha Dr. Susan Kressly, presidente e American Academy of Pediatrics.
Faqja e re nuk sjell asnjë studim të ri, por argumenton se studimet e mëparshme që mbështesin mungesën e lidhjes janë injoruar nga autoritetet shëndetësore.
HHS tha se po nis një vlerësim gjithëpërfshirës të shkaktarëve të autizmit dhe po përditëson faqen e CDC-së për të reflektuar shkencën e bazuar në prova.
Shumë ish-zyrtarë të CDC-së shprehën shqetësim, duke theksuar se informacioni aktual nuk mund të besohet më. Dr. Daniel Jernigan deklaroi se administrata e re po kalon “nga vendimmarrja e bazuar në prova tek krijimi i provave për të justifikuar vendimet”.
Faqja e CDC-së ende mban titullin “Vaksinat nuk shkaktojnë autizëm”, por HHS vendosi një yll (*) që shënjon se ky formulim mbetet për shkak të një marrëveshjeje me kryetarin e Komitetit të Shëndetësisë, Arsimit, Punës dhe Pensioneve të Senatit.
Ekspertët paralajmërojnë se ky ndryshim mund të nxisë pasiguri dhe keqinformim mbi vaksinimin e fëmijëve.