
Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi ka akuzuar kryeministrin Rama se po mbron zv.kryeministren Balluku të kapur në korrupsion ndërsa ironizoi deputetët socialistë. Ai lexoi pjesë të komunikimit të Ballukut me kompaninë turke që ka ndërtuar tunelin e Llogarsë.
“T’ua freskoj edhe një herë kujtesën kolegëve të Partisë Socialiste, se ndoshta, edhe mund t’u vijë turp nga fëmijët e tyre, para se të lexojnë fjalimin që u ka kërkuar partia. Ja, çfarë thuhet mes të tjerash në mesazhin që kompania turke i dërgon Belinda Ballukut disa javë përpara hapjes së tenderit të dytë për tunelin dhe që mjeshtrja e tenderave ia dërgon bashkëpunëtorit të saj.
“Kjo është një shoqëri që Presidenti e njeh, e vlerëson dhe e përdor si referencë. Si përfaqësuesit tanë në Shqipëri, ashtu edhe avokatët tanë në Shqipëri, po vazhdojnë punën dhe negociatat në lidhje me tenderin. Në selinë tonë në Ankara, inxhinierët tanë po përfundojnë dokumentacionin për tenderin dhe po vazhdojnë studimet e kostove. Përveç kësaj, më 18 Gusht, (pra 3 javë para hapjes së tenderit) menaxherët e shoqërisë dhe inxhinierët tanë nga Turqia do të vijnë në Shqipëri për të parë trasenë dhe vendin ku do të ndërtohet tuneli, si dhe për të finalizuar detajet. Si shoqëri, ne do të jemi plotësisht gati për tenderin e Tunelit të Llogarasë përpara datës së tenderit.”
A është Tuneli i Llogarasë rast i izoluar i abuzimit me fondet publike, që as Edi Rama, as Belinda Balluku nuk i prodhojnë vetë, por janë mundi dhe djersa e punës së 2 milionë shqiptarëve.
Do ta kisha votuar edhe vetë këtë buxhet, po të kishte qenë kështu, por, fatkeqësisht për vendin, nuk është.” – tha Bardhi, i cili theksoi se PD-ja nuk do e votojë bbuxhetin.