
Sipas parashikimeve të meteorologëve, reshjet e dendura të shiut gjatë natës shkaktuan vështirësi serioze në lagjen “Besëlidhja” të Lezhës. Zona u mbulua nga uji, duke penguar lëvizjen e qindra banorëve dhe duke krijuar përmbytje pranë hyrjeve të banesave.
Bashkia e Lezhës njoftoi se zgjidhja përfundimtare do të vijë pas realizimit të projektit për trajtimin e ujërave të bardha dhe të zeza në lagje, një investim që synon të eliminojë përmbytjet e përsëritura.
Situatë kritike është krijuar në të gjithë ultësirën e Bashkisë Krujë, sidomos në fshatrat Bilaj, Murqinë, Mallkuc dhe zonat përreth. Reshjet e dendura kanë përmbytur sipërfaqe të mëdha tokash të mbjella, ndërsa niveli i ujit po rritet vazhdimisht.
Banorët dhe autoritetet lokale njoftojnë se uji i kanaleve të kullimit nuk po arrin të derdhet në lumë për shkak të bllokimeve, duke dalë nëpër ara dhe duke dëmtuar kulturat bujqësore.

Mbrëmjen e kaluar, një incident i rëndë është regjistruar në fshatin Preknicaj të Shkrelit në Malësinë e Madhe, ku një banesë dykatëshe u përfshi nga flakët rreth orës 02:00.

Pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikësve, shtëpia e shtetasit Zef Preknicaj u dogj plotësisht, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Nuk raportohet për persona të lënduar. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se zjarri është shkaktuar nga rrufeja, për shkak të aktivitetit të shtuar elektrik në atmosferë gjatë 24 orëve të fundit.

Autoritetet vendore bëjnë të ditur se po pritet ndërhyrja e mjeteve të Bashkisë Shkodër dhe ekipeve të Emergjencave Civile, ndërsa Forcat e Ushtrisë pritet të bashkohen për zhbllokimin e rrugëve dhe normalizimin e qarkullimit. Ndërkohë, rruga kryesore Shkodër–Theth raportohet të jetë e kalueshme, ashtu si edhe akset nacionale dhe rrugët kryesore në qarkun Shkodër.
Për shkak të motit të keq me reshje intensive dhe stuhi, Policia e Shtetit ka shtuar patrullimet në të gjithë vendin dhe apelon që qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes në rrugë, me automjete, motoçikleta apo me këmbë.
Strukturat e Policisë, në bashkëpunim me Emergjencat Civile dhe firmat kontraktore, janë në gatishmëri për të ndërhyrë dhe për të pastruar rrugët e bllokuara nga dheu dhe gurët.
Probleme raportohen edhe në bashkinë e Kurbinit.
Vërshimi i ujit solli probleme në qytetin e Laçit, ndërsa përmbytje raportohen edhe në Gjorm dhe Zheje.
Në disa zona ka mungesë të energjisë elektrike, kryesisht në fshatra. Grupet e OSHEE-së ndodhen në terren dhe po punojnë për riparimin e defekteve, ndërsa bashkitë kanë angazhuar mjete dhe punonjës për largimin e inertëve dhe normalizimin e trafikut.

Në qarkun e Shkodrës, reshjet intensive që ranë dje, pasdite dëmtuan segmentin rrugor Breg Lumi–Theth, ku 9 persona dhe 5 mjete mbetën të bllokuar. Falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave bashkiake, Policisë së Shtetit dhe efektivëve të FA, personat u evakuuan me sukses. Rruga mbetet e bllokuar dhe po pastrohet nga inertet, me mbështetjen e 10 efektivëve të FA.
Në Vlorë, po ashtu era e fortë ka rrëzuar disa pemë në zonën e Skelës dhe Pyllin e Sodës. Ndërkohë prej më shumë se tre orë e gjysmë, trageti i linjës Brindisi Vlorë, nuk ka mundur dot të ankorohet për shkak të erërave të forta dhe dallgëve të larta.
Situata paraqitet problematike ne disa njësi administrative të Kurbinit, Mamurras, Fushë Mamurras, Drojë, Zhejë, Shpërdhet, Sh’mëri si pasojë e prurjeve të mëdhaja nga lumi Drojë.
“Ka vështirësi kalimi në disa akse rrugore ( nën kalimi Fushë Mamurras), ish rruga nacionale në Gjorëm,dhe Sh’meri.
Në njësinë administrative Milot, akset rrugore në fshatin Skuraj, Vinjollë dhe Gallatë jane të pakalueshme.
Momentalisht, janë rreth 50 banesa me prezencë uji.”

Dëme të konsiderueshme janë shënuar edhe në rrugët rurale të njësive administrative Macukull, Derjan, Rukaj, Baz, Komsi, Ulëz dhe Lis, ku qarkullimi është vështirësuar ose bllokuar plotësisht. Prurjet e mëdha të ujërave kanë dalë nga shtrati i kanaleve dhe kanë përmbytur rrugë të qytetit dhe fshatrave.
Disa fshatra të njësive Macukull dhe Derjan janë aktualisht pa energji elektrike, ndërsa rezervuarët në zona të ndryshme janë tejmbushur.
Në aksin kombëtar Burrel-Milot është raportuar rënie gurësh dhe inertesh, duke krijuar rrezik për qarkullimin. Uji ka hyrë në oborret e disa shkollave, ndërsa në Baz dhe Lis disa banesa janë përmbytur ose paraqesin rrezik shembjeje.
Përgatiti për Hashtag.al, Aurora Hoxha