
CEO i Tesla-s, Elon Musk, pritet të marrë pjesë të martën në një darkë të organizuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në nder të princit të kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, përcjell JPost.
Të hënën, Trump deklaroi se planifikon të miratojë shitjen e avionëve luftarakë amerikanë F-35 për Arabinë Saudite, një ditë para takimit me princin saudit për një ditë diplomacie në Uashington.
“I will say that we will be doing that,” tha Trump para gazetarëve në Zyrën Ovale. “We’ll be selling the F-35s.”
Një marrëveshje e tillë do të përbënte një ndryshim të rëndësishëm të politikës amerikane, me potencial për të ndikuar në ekuilibrin ushtarak në Lindjen e Mesme dhe për të testuar konceptin e SHBA-së për ruajtjen e “epërsisë ushtarake cilësore” të Izraelit.
Arabia Saudite ka kërkuar blerjen e deri në 48 avionëve F-35, një marrëveshje që mund të arrijë vlera shumë miliardëshe dhe që, sipas Reuters, ka kaluar një fazë të rëndësishme të shqyrtimit të Pentagonit në fillim të këtij muaji.
Sipas zyrtarëve amerikanë, presidenti synon të diskutojë mbi avionët me princin saudit përpara një vendimi përfundimtar.
Arabia Saudite, si blerësi më i madh i armëve amerikane, është përpjekur prej vitesh të sigurojë këtë model avioni ndërsa modernizon forcat e saj ajrore dhe kundërpërgjigjet ndaj kërcënimeve rajonale, sidomos nga Irani. Flota aktuale saudite përfshin F-15 të Boeing, si dhe Tornado dhe Typhoon evropiane.
Riyadhi i ka bërë një kërkesë direkte Trump-it më herët këtë vit për blerjen e avionëve. Zyrtarë të Pentagonit punuan për muaj të tërë mbi vlerësimin e marrëveshjes së mundshme, sipas burimeve të Reuters.
SHBA vlerëson çdo shitje armësh në Lindjen e Mesme duke marrë parasysh ruajtjen e epërsisë teknologjike të Izraelit, i cili është i vetmi vend në rajon që operon F-35, me disa skuadrone të ngritura gjatë dekadës së fundit.
F-35, i ndërtuar me teknologji “stealth”, konsiderohet avioni luftarak më i avancuar në botë.
Administrata e Biden më herët pati shqyrtuar mundësinë e përfshirjes së F-35 në një marrëveshje më të gjerë që do të çonte në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Arabisë Saudite dhe Izraelit, por negociatat dështuan.
Çdo shitje e mundshme mund të hasë në kundërshtime në Kongres. Ligjvënësit kanë vënë në pikëpyetje marrëveshjet e armëve me Arabinë Saudite pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi në vitin 2018, dhe disa anëtarë mbeten skeptikë për zgjerimin e bashkëpunimit ushtarak me Riadhin.