
Presidenti Donald Trump tha të dielën se Shtetet e Bashkuara mund të hapin bisedime me presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, i cili përballet me presion në rritje nga Uashingtoni mes një grumbullimi masiv ushtarak amerikan në Karaibe.
Kjo ishte një nga shenjat e para të një rruge të mundshme drejt zbutjes së një gjendjeje gjithnjë e më të tensionuar në rajon, ndërsa SHBA-ja zhvillon një fushatë sulmesh vdekjeprurëse kundër anijeve të dyshuara për trafik droge në brigjet e Venezuelës dhe në Paqësor lindor.
“Mund të jemi duke zhvilluar disa diskutime me Maduro-n, dhe do të shohim se si do shkojnë,” u tha Trump gazetarëve të dielën në West Palm Beach, Florida, përpara se të merrte një fluturim kthimi për në Uashington.
“Ata do të donin të bisedonin.”
Trump nuk dha hollësi të mëtejshme rreth mundësisë së bisedimeve me Maduro-n, të cilin SHBA-ja e ka akuzuar për lidhje me tregtinë e paligjshme të drogës, gjë që Maduro e mohon.
Zyrtarë të lartë të administratës Trump mbajtën tre takime në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar për të diskutuar mundësitë për operacione të mundshme ushtarake kundër Venezuelës, duke përfshirë sulme tokësore brenda vendit, thanë zyrtarët, duke folur në kushte anonimiteti.
Trump tha të premten se ai “në një farë mënyre e kishte ndarë mendjen” për Venezuelën, duke sugjeruar se një vendim mund të vinte së shpejti.
Ministria e Komunikimit e Venezuelës nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment mbi vërejtjet e fundit të Trump.
Më herët të dielën, Sekretari i Shtetit Marco Rubio tha se SHBA-ja do emëronte një organizatë të dyshuar për drogë, Cartel de los Soles, si një “organizatë terroriste të huaj,” gjë që e bën krim për këdo në SHBA t’i ofrojë mbështetje materiale grupit.
Zyrtarët amerikanë kanë akuzuar Cartel de los Soles për bashkëpunim me bandën venezueliane Tren de Aragua, të cilën Uashingtoni e emëroi më parë si një organizatë terroriste të huaj, për të dërguar drogë në SHBA, shykruan Reuters.
Administrata Trump ka pretenduar se Maduro udhëheq Cartel de Los Soles, gjë që Maduro e mohon gjithashtu.
I pyetur nëse njoftimi i Rubios do të thotë se SHBA-ja mund të sulmojë asetet dhe infrastrukturën e Maduro-s në Venezuelë, Trump tha: “Kjo na lejon ta bëjmë këtë, por nuk kemi thënë se do ta bëjmë këtë.”
I pyetur se çfarë do të thotë fakti që Maduro ishte i interesuar të bisedonte, Trump, i cili i kishte ndërprerë angazhimet diplomatike me Venezuelën në fillim të tetorit, tha se nuk e dinte, por shtoi: “Unë flas me këdo.”
Trump sugjeroi, megjithatë, se do ta mbante presionin ndaj Maduro-s, i cili ka qenë në pushtet që nga viti 2013 dhe nuk njihet nga SHBA-ja si presidenti legjitim i Venezuelës.
“Ne po ndalojmë tregtarët e drogës dhe drogën të hyjnë në vendin tonë,” tha Trump.