
Ashtu siç pritej, Bedri Hamza është zgjedhur në krye të Partisë Demokratike të Kosovës.
Ai tha se partia që drejton nuk ka vija të kuqe për sa i përket bashkëpunimit me forca të tjera politike në vend, përfshirë Vetëvendosjen.
“Unë asnjëherë nuk kam vendosur vija të kuqe dhe siç e pamë edhe në këto zgjedhje në balotazh, edhe ata që kanë vënë vija të kuqe, të gjithëve u kanë rënë. Krejt me krejt u bënë bashkë. Mendoj që ne duhet të jemi të përgjegjshëm para interesit të vendit dhe gjithmonë t’i bëjmë veprimet e duhura në dobi të vendit”, tha Hamza, shkruan Koha.
Ndërkohë ish-ministri i Jashtëm dhe ish-kreu i partisë, Enver Hoxhaj, e kritikoi konventën ku u zgjodh Hamza duk thënë se nuk kishte garë dhe se kreu ishte i paracaktuar me mbështetjen që ish-kryetari i dorëhequr Memli Krasniqi i bëri Hamzës para garës.
“Kam pas dëshirë që kjo Konventë të mund të ishte ngjarje demokratike, dhe do të ishte e tillë po të shtyhej për një javë. Mes kohës dhe kualitetit duhet të vendosim për kualitetin. Kjo do të bëhej nëse do të ishte garë e hapur dhe do të merrnin pjesë më shumë kandidatë për kryetar. Në momente të caktuara duhet t’i thirrim ndërgjegjes sonë”, tha Hoxhaj.