Vendosni fjalën kyçe....

BBC-ja do luftojë padinë për shpifje të Trump-it


BBC-ja është e vendosur të luftojë çdo veprim ligjor të ngritur nga presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe nuk sheh asnjë bazë për një padi për shpifje në lidhje me redaktimin e një prej fjalimeve të tij, tha kreu i saj të hënën.

Trump tha të premten se kishte të ngjarë ta padiste transmetuesin britanik këtë javë për deri në 5 miliardë dollarë pasi media publike britanike bashkoi pjesë të veçanta të një fjalimi të mbajtur më 6 janar 2021, kur mbështetësit e tij sulmuan Kapitol-in. Redaktimi krijoi përshtypjen se ai kishte bërë thirrje për dhunë.

Kryetari i BBC-së, Samir Shah, i dërgoi një letër Trump-it për t’i kërkuar falje për redaktimin, tha BBC të enjten, por shtoi se nuk ishte absolutisht dakord që ekzistonte një bazë për një padi për shpifje.

Trump u tha gazetarëve të premten se do kërkonte mes 1 miliard dhe 5 miliardëve dollarë dëmshpërblim.

Shah u tha punonjësve të BBC-së në një email të hënën se kishte spekulime rreth mundësisë së veprimeve ligjore, përfshirë kostot ose marrëveshjet e mundshme.

“Në të gjitha këto, ne jemi thellësisht të vetëdijshëm për privilegjin e financimit tonë dhe nevojën për të mbrojtur paguesit e taksës sonë të licencës, publikun britanik,” shkroi Shah.

“Dua të jem shumë i qartë me ju – qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Nuk ka bazë për një padi për shpifje dhe ne jemi të vendosur ta luftojmë këtë.”

Dokumentari, i realizuar nga një palë e tretë, u transmetua në Britani përpara zgjedhjeve të SHBA-së në nëntor 2024. Ai tregonte Trump-in duke u thënë mbështetësve “ne do shkojmë në Kapitol” dhe se “do luftojmë si të çmendur”, një koment që ai e bëri në një pjesë tjetër të fjalimit të tij. Trump në fakt tha se “mbështetësit do shkonin në Kapitol dhe do brohorisnin për senatorët dhe kongresmenët tanë trima”.

Redaktimi u bë publik pasi Daily Telegraph botoi një raport të brendshëm të BBC-së që kishte rrjedhur, shkruan Reuters.

Raporti, i shkruar nga një këshilltar i pavarur, përmbante kritika më të gjera ndaj produksionit të lajmeve të BBC-së, duke përfshirë pohime për anshmerinë anti-Izrael në BBC Arabic dhe një mungesë ekuilibri në historitë rreth çështjeve trans, dhe çoi në dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm Tim Davie dhe shefes së lajmeve Deborah Turness.