
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, gjatë një replike me aktivisten Rezarta Çaushaj në emisionin “Log.”, deklaroi se çështjet që përfshijnë kryetarin e opozitës, Sali Berisha, dhe zv/kryeministren Belinda Balluku nuk janë të krahasueshme.
Sipas Bardhit, ndaj Berishës nuk ka akuza të bazuara në prova, ndërsa për Ballukun, ai tha se ekziston një dosje hetimore që përmban elementë të qartë abuzimi me fondet publike.
“Nuk di që Berisha të jetë në krye të qeverisjes dhe të menaxhojë 8 miliardë euro të shtetit si zonja Balluku, dhe ai nuk akuzohet për asnjë aferë,” u shpreh Bardhi.
Ai shtoi se ndaj ish-kryeministrit “nuk ka arsye të forta, por akuza të dobëta”, ndërsa Balluku, sipas tij, “akuzohet për parregullsi në tendera duke përfituar 50 milionë euro më shumë”.
Bardhi theksoi se, sipas tij, ndaj Berishës bëhet fjalë për një akuzë të montuar, ndërsa rasti i zv/kryeministres lidhet me dokumente konkrete të administruara nga SPAK. Ai gjithashtu tha se opozita do të vijojë qëndrimin e saj politik dhe mbajtjen në vëmendje të çështjeve me interes publik.
“Është e pamundur të vendosësh paralele mes një akuze të montuar ndaj Berishës dhe akuzave ndaj Ballukut,” përfundoi Bardhi.