
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ftuar në emisionin “Log.” në News24, komentoi protestën e zhvilluar para Kryeministrisë, ku demokratët kërkuan largimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK.
Bardhi deklaroi se, sipas tij, Balluku është figura më e fuqishme brenda qeverisë dhe përfaqëson boshtin e aferave korruptive të mazhorancës. “Nuk është qeveria Rama, është qeveria Balluku. Sot kemi qeverinë e Belinda Ballukut,” tha ai.
Sipas Bardhit, çdo zhvillim ligjor që prek zv/kryeministren ka ndikim të drejtpërdrejtë në qeverisje. Ai u shpreh se çdo goditje ndaj Ballukut përbën “goditje ndaj mazhorancës dhe qeverisjes së Edi Ramës”.
Bardhi theksoi se, sipas tij, Balluku ka pasur rol kyç në vendimmarrjet e qeverisë dhe në çështjet ku ai pretendon se ka pasur abuzime. “Rënia e saj është rënia de-facto e qeverisë së Edi Ramës,” u shpreh ai.