Vendosni fjalën kyçe....

Veteranët e UÇK-së dorëzojnë 285 letra në Strasburg me ankesa për gjykimin e ish-krerëve të luftës



Pas protestave të mbajtura në disa qytete evropiane, ankesat kundër procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë adresuar sot para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg, përcjell REL.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së njoftoi se ka dorëzuar 285 letra, nga një për secilin anëtar të Asamblesë, ku paraqiten shqetësimet e tyre lidhur me zhvillimet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Protesta, e thirrur nga kategoritë e dala nga lufta, kishte për qëllim shprehjen e pakënaqësive me gjykimin e ish-udhëheqësve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Gjyqi ndaj tyre nisi në vitin 2023 dhe ndodhet në fazën përfundimtare. Të katër i mohojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në letrën e dorëzuar anëtarëve të Këshillit të Evropës, kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, shprehu “shqetësime të thella” për mënyrën si po zhvillohet procesi gjyqësor, duke theksuar se aktakuza e vitit 2020 e portretizon UÇK-në si “ndërmarrje të përbashkët kriminale”. Sipas tij, kjo paraqet rrezik për kriminalizimin e luftës çlirimtare të Kosovës.

Gucati u bëri thirrje vendeve anëtare që t’i konsiderojnë këto shqetësime dhe t’i përcjellin ato në institucionet shtetërore dhe ministritë e jashtme, me qëllim që proceset gjyqësore të zhvillohen me “qasje të drejtë dhe të balancuar”.

Protesta të ngjashme janë mbajtur më herët edhe në Tiranë, Hagë dhe Prishtinë.

Raporti i vitit 2010 i senatorit zviceran Dick Marty, i miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, pretendonte se drejtues të UÇK-së kishin qenë të përfshirë në trafikim organesh gjatë luftës së viteve 1998–99. Ky raport çoi në krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në vitin 2015, për të hetuar krimet e supozuara ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë.

Gjyqi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit nisi tre vjet pas arrestimit të tyre. Në fazën e mbrojtjes, kanë dëshmuar figura ndërkombëtare si James Rubin, Paul Williams, Chris Hill dhe John Stewart Duncan, të cilët kanë deklaruar se Hashim Thaçi “nuk kishte autoritet komanduese mbi UÇK-në”.

Dhomat e Specializuara i ngarkojnë të pandehurit me përgjegjësi penale për krime të kryera midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në Kosovë dhe veri të Shqipërisë, përfshirë arrestime të paligjshme, torturë, vrasje dhe persekutim. Të akuzuarit i mohojnë të gjitha pikat e aktakuzës, ndërsa mbrojtja pretendon se aktakuza bazohet në një “keqinterpretim selektiv” të ngjarjeve të luftës.

Gjykata pret që procesi të përfundojë deri në fund të muajit dhjetor.