
Policia e Shkodrës ka identifikuar dhe vënë në pranga dy autorët e ngjarjes së mbrëmshme, gjatë së cilës u qëllua me armë zjarri dhe u dhunua fizikisht shtetasi Edison Tirana, 42 vjeç, banues në fshatin Trush të njësisë Bërdicë. Në kërkim është shpallur edhe nipi i tyre, i dyshuar si i përfshirë në sulm.
Në pranga kanë rënë vëllezërit Gjovalin dhe Pëllumb Gjekaj, banues në fshatin Pjetroshan të Malësisë së Madhe. Sipas hetimeve paraprake, konflikti mes tyre dhe Edison Tiranës ka nisur në doganën e Hanit të Hotit për shkak të parakalimeve të njëpasnjëshme dhe debatit që pasoi.
Ngjarja kulmoi pranë rrethrrotullimit të Koplikut, ku dy vëllezërit dyshohet se qëlluan me pistoletë në drejtim të automjetit “Mercedes Benz” të 42-vjeçarit, duke goditur edhe gomat e makinës. Si pasojë, Tirana humbi kontrollin dhe u përplas në bordurën e një karburanti.
Pasi doli nga automjeti dhe u përpoq të fshihej në një tokë aty pranë, autorët e dyshuar e ndoqën dhe e goditën me sende të forta, duke i shkaktuar dëmtime në trup. Rreth orës 19:30, Edison Tirana u paraqit në spitalin e Shkodrës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ai dhanoi dëshminë e tij, duke shpjeguar se konflikti kishte nisur që nga dogana.
Policia nisi menjëherë veprimet dhe arriti të arrestojë dy vëllezërit Gjekaj, ndërsa vijon kërkimi për nipin e tyre. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së 15 nëntorit janë ende në zhvillim.