Vendosni fjalën kyçe....

Sulm masiv i Rusisë në Kiev, 1 i vrarë dhe të paktën 26 të plagosur nga dronët e raketat gjatë natës



Kievi u godit nga një valë e re dronësh dhe raketash ruse gjatë natës së kaluar dhe në orët e para të së premtes, duke shkaktuar të paktën një viktimë dhe mbi 26 të plagosur, si dhe dëme të mëdha materiale në disa lagje të kryeqytetit ukrainas, përcjell Euronews.

Kryebashkiaku Vitali Klitschko tha se të paktën një person humbi jetën, ndërsa dy të tjerë mund të jenë ende nën rrënoja, por ekipet e shpëtimit nuk kanë mundur t’i nxjerrin trupat.
“Nëntë persona janë shtruar në spital, mes tyre edhe një grua shtatzënë,” njoftuan autoritetet. Dy nga të plagosurit janë fëmijë të moshës 7 dhe 10 vjeç.

Sipas Klitschko, të paktën 11 ndërtesa shumëkatëshe janë dëmtuar nga shpërthimet dhe nga mbeturinat e raketave të rrëzuara. Në distriktet Shevchenkivskyi dhe Holosiivskyi, mbetjet shkaktuan zjarr në një zonë pranë një objekti mjekësor dhe në një godinë jo-banimi.

Banorët u urdhëruan të qëndrojnë në strehimore deri në përfundimin e alarmit ajror, ndërsa autoritetet paralajmëruan ndërprerje të mundshme të energjisë dhe ujit.

Në rajonin e Kievit, sulmet ruse dëmtuan infrastrukturën kritike dhe shtëpi private duke plagosur të paktën gjashtë persona, bëri të ditur kreu rajonal Mykola Kalashnyk. Një 55-vjeçar në Bila Tserkva u shtrua në spital me djegie termike.

Forcat Ajrore të Ukrainës raportuan sulme edhe në rajone të tjera të vendit.

Sulmet vijnë në një moment kur Rusia po shënon avancime në jug të Ukrainës. Forcat ukrainase janë tërhequr nga disa fshatra në Zaporizhzhia për shkak të luftimeve të ashpra.

Gjatë katër javëve të fundit, Ministria ruse e Mbrojtjes ka pretenduar kapjen e disa vendbanimeve në Donetsk, Zaporizhzhia, Dnipropetrovsk dhe Kharkiv.

Megjithatë, Instituti për Studimin e Luftës (ISW) thotë se rrethimi rus i qytetit strategjik Pokrovsk po ecën ngadalë, pasi komandantët rusë po përhapin trupat në shumë drejtime, ndonëse kanë vendosur njësi elitare të dronëve dhe forcat speciale “spetsnaz”.

Ndërkohë, Ukraina po vazhdon sulmet me dronë me rreze të gjatë veprimi ndaj objektivave ushtarake me vlerë të lartë brenda territorit rus, duke synuar dobësimin e kapaciteteve të Moskës.

Kievi mbetet nën tension, teksa sulmet e natës së kaluar tregojnë se Rusia po intensifikon presionin në të gjitha frontet.