
Burgu i Bënçës në Tepelenë është mbyllur zyrtarisht. Sipas burimeve pranë institucionit, rreth 70% e personelit kanë dhënë dorëheqjen pasi nuk kanë mundur të pranojnë transferimet në qytete të tjera, ndërsa 30% e mbetur vijojnë punën vetëm për një periudhë tranzitore prej rreth tre muajsh.
Afro 100 punonjës kanë mbetur pa punë në një zonë ku mundësitë e punësimit janë të kufizuara. Banorët e konsiderojnë situatën si një “goditje të dyfishtë”, veçanërisht për familjet që ndër vite janë mbështetur ekonomikisht te paga e këtij institucioni.
Aktualisht po vijojnë procedurat e dorëzimit të godinës dhe transferimit të të dënuarve. Ende nuk ka informacion se çfarë destinacioni do të marrë objekti pas mbylljes, as nëse do të ketë alternativa punësimi për personelin e lënë pa punë. Mbyllja e burgut vjen në një periudhë kur Tepelena përballet me papunësi të lartë dhe largim të të rinjve drejt qyteteve të mëdha apo jashtë vendit.