
Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e paraqitur nga i dënuari me burgim të përjetshëm Aldo Bare, ish-kreu i “bandës famëkeqe të Lushnjës”, i cili kërkonte ulje dënimi prej 45 ditësh me argumentin e sjelljes së mirë në qeli.
Kërkesa e Bares ishte refuzuar më herët nga gjykatat më të ulëta, çka e shtyu të paraqiste rekurs në Gjykatën e Lartë. Edhe ky institucion, megjithatë, e la në fuqi vendimin duke hedhur poshtë pretendimet e tij.
Vetëm pak ditë më parë, Bare i ishte drejtuar sërish Gjykatës së Lartë me një padi të dytë, ku kërkonte ulje dënimi me disa ditë, këtë herë duke iu referuar ligjit për të drejtat e të dënuarve.
Edhe kjo padi është regjistruar për shqyrtim, por vendimi për kërkesën e parë u komunikua sot: asnjë ditë ulje dënimi për të dënuarin me burgim të përjetshëm.
Vendimi i sotëm lë të pandryshuar dënimin me burgim të përjetshëm të dhënë në shtator 2022 – një vendim i marrë 10 vite pasi Gjykata e Apelit kishte vendosur të njëjtin masë në vitin 2012.
Bare kishte bërë rekurs, dhe çështja ishte rikthyer për rigjykim nga Gjykata Kushtetuese, e cila gjeti shkelje procedurale në shqyrtimin e mëparshëm.
Aldo Bare u arrestua në Turqi në vitin 2006, në kuadër të një operacioni të gjerë ndërkombëtar. Ekstradimi i tij drejt Shqipërisë u pranua në fund të vitit 2009, kur ai u soll në vend me charter special në Aeroportin “Nënë Tereza”, nën masa të rrepta sigurie.