Vendosni fjalën kyçe....

Elon Musk kritikon mënyrën e përzgjedhjes së udhëheqësve në BE



Miliarderi amerikan Elon Musk ka hedhur një thumb ndaj demokracisë europiane dhe ndaj presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si ajo është zgjedhur në detyrë, përcjell Politico.

“Nëse demokracia është themeli i lirisë, atëherë pse pozicioni juaj si udhëheqëse e BE-së nuk zgjidhet drejtpërdrejt nga populli?”, shkroi Musk në platformën X, në një postim drejtuar von der Leyen.

Në një tjetër reagim, themeluesi i Tesla dhe SpaceX shtoi se “udhëheqësi i BE-së duhet të zgjidhet nga qytetarët e Unionit, jo të emërohet nga një komitet.”

Komentet e tij erdhën pas prezantimit të “European Democracy Shield”, një strategji e re e Komisionit Europian për të luftuar ndërhyrjet e huaja dhe dezinformimin online, veçanërisht gjatë zgjedhjeve.

Von der Leyen e quajti demokracinë “themel të lirisë, prosperitetit dhe sigurisë sonë”, ndërsa nisma e saj parashikon krijimin e Qendrës Europiane për Qëndresë Demokratike, që do të ndihmojë vendet e BE-së dhe ato aspirante në përballjen me fushatat dezinformuese.

Presidentja e Komisionit Europian emërohet nga Këshilli Europian dhe miratohet nga Parlamenti Europian, ndërsa mandati zgjat pesë vjet. Von der Leyen fitoi një mandat të dytë vitin e kaluar, pavarësisht tri mocioneve të mosbesimit në Parlament.

Musk, i cili ka shprehur shpesh pikëpamje kontradiktore mbi lirinë e fjalës dhe udhëheqjen politike, ka shërbyer shkurtimisht edhe si këshilltar i presidentit amerikan Donald Trump pas zgjedhjeve të vitit 2024.