
Donald Trump ka kërcënuar se do padisë BBC-në duke kërkuar të paktën 1 miliard dollarë për montazhin e një fjalimi që ai mbajti më 6 janar 2021, nëse transmetuesi nuk plotëson një sërë kërkesash deri të premten, duke thelluar një krizë në institucion.
Një zëdhënës i ekipit ligjor të presidentit të SHBA-së tha të hënën se transmetuesi kishte “shpifur” ndaj Trump-it duke e “montuar qëllimisht dhe me mashtrim” klipin, i cili u transmetua në tetor 2024, për të “ndërhyrë” në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.
Trump e mbajti fjalimin ditën kur mbështetësit e tij sulmuan Kapitolin në Uashington dhe polemika mbi montazhin e pamjeve tashmë ka çuar në largimin e dy drejtuesve të lartë të BBC-së.
Një letër nga avokatët e Trump-it, e parë nga FT, i kërkon BBC-së të “tërheqë deklaratat e rreme, shpifëse, denigruese dhe nxitëse” për presidentin, duke dhënë një afat deri në fund të kësaj jave.
Ajo gjithashtu kërkoi që transmetuesi të kërkojë ndjesë ndaj presidentit të SHBA-së dhe ta kompensojë atë për “dëmin e shkaktuar”.
Letra thoshte se nëse këto masa nuk ndërmerren deri të premten, Trump-i nuk do të kishte “zgjidhje tjetër veçse të ndjekë të gjitha të drejtat dhe mjetet ligjore në dispozicion për të rimarrë dëmet për dëmin e jashtëzakonshëm financiar dhe reputacional që BBC i ka shkaktuar atij”.
Letra theksonte se kjo do përfshinte “paraqitjen e veprimeve ligjore për jo më pak se miliard dollarë si dëmshpërblim”.
BBC tha se do t’i “përgjigjej letrës në kohën e duhur”.
Kreu i BBC-së Samir Shah tha se BBC kishte arritur në përfundimin se montazhi i saj “i dha përshtypjen e një thirrjeje të drejtpërdrejtë për veprim të dhunshëm” drejtuar mbështetësve të tij, të cilët sulmuan ndërtesën e Kapitolit atë ditë.
Megjithatë, Shah kritikoi gjithashtu një memorandum të zbuluar që theksonte trajtimin e fjalimit nga BBC, mes akuzave të tjera për njëanësi në mbulimin e tij. Memorandumi nga Michael Prescott, një ish-redaktor politik i Sunday Times, çoi në dorëheqjen të dielën të drejtorit të përgjithshëm Tim Davie dhe shefes së BBC News, Deborah Turness.
Ai akuzoi BBC-në për një sërë dështimesh në lajmet e saj për Trump-it, luftën në Gaza dhe të drejtat e personave transgjinorë. Prescott pohoi se shqetësimet e tij ishin injoruar nga drejtuesit e BBC-së.

Shah tha se memorandumi Prescott, i cili ka shkaktuar një krizë në transmetuesin publik, ishte një “llogari personale” dhe argumentoi se “nuk ishte e vërtetë të thuhej se shqetësimet ishin injoruar”.
Të hënën, zyra e kryeministrit mbrojti korporatën, duke shprehur “mbështetjen e madhe për një BBC të fortë dhe të pavarur”.
I pyetur nëse Sir Keir Starmer mendonte se BBC ishte “e korruptuar”, siç kishte pohuar Trump, zëdhënësi i kryeministrit u përgjigj: “Jo.”
Ai shtoi se Starmer nuk mendonte se transmetuesi ishte i anuar.
Reagimet dhe kritikët e brendshëm
Megjithatë kreu i Reform UK, Nigel Farage, tha të hënën se ai foli me Trump-in të premten ndërsa kriza e BBC-së shpalosej. Ai tha se presidenti i SHBA-së ishte “shumë, shumë i pakënaqur” për këtë, duke shtuar: “Mendoj se është shumë, shumë dëmtuese.”
Largimet e Davie dhe Turness erdhën pasi Shtëpia e Bardhë e quajti BBC-në një “makinë propagande të majtë”.
Një ekzekutiv i medias afër korporatës e përshkroi polemikën si përfaqësuese të një “lufte më të gjerë në BBC”, duke shtuar: “Ata kanë nevojë për një kryetar shumë më të ashpër.”

Bordi i BBC-së është kritikuar ashpër edhe për trajtimin e krizës, e cila ka ekspozuar çarje në majën e organizatës dhe ka ndezur pretendime për një grusht shteti të motivuar politikisht kundër udhëheqjes së saj.
Nick Robinson, prezantues i programit Today të BBC-së, tha të hënën se “ata në majë të BBC-së janë shfaqur të paralizuar javën e kaluar, të paaftë të bien dakord për atë që duhet të thonë, jo vetëm për montazhin e fjalimit të Donald Trump nga Panorama, por edhe për pretendimet më të gjera të anësisë institucionale”.
Robinson tha se një shumicë e bordit dukej se ishte dakord me Prescott “se ekziston një problem i anësisë institucionale e reflektuar në mbulimin e Donald Trump-it, Gazës/Izraelit dhe të drejtave trans”.
Ai shtoi se “ky argument është udhëhequr nga një anëtar i bordit Sir Robbie Gibb” – më parë drejtor i komunikimeve për ish-kryeministren Konservatore Theresa May.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT



