
Partia Demokratike ka denoncuar se ndërsa gjendja në shëndetësi është e mjerueshme dhe mungojnë medikamentet në spitale si Onkologjiku dhe Pediatria, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) vazhdon të shpenzojë miliona euro për kontrata të dyshimta.
Sipas zëdhënëses së PD, Genta Vangjeli, vetëm për mirëmbajtjen e sistemit të informacionit shëndetësor, AKSHI ka shpenzuar 7 milionë euro me TVSH gjatë periudhës 2018-2025, duke përdorur procedura të mbyllura, pa transparencë dhe me negocim pa shpallje të kontratave, me të njëjtin përfitues në çdo rast.
PD ka dhënë shembujt e kontratave:
QSUT: 4 kontrata mirëmbajtjeje me vlerë totale 4.3 milionë euro (2018, 2020, 2022, 2025), ku vlera është rritur nga 800 mijë euro në 1.6 milionë euro.
Spitali Universitar i Traumës: 4 kontrata me vlerë totale 1.8 milionë euro, me rritje nga 300 mijë euro në 888 mijë euro.
Spitali “Shefqet Ndroqi”: 3 kontrata me vlerë 517 mijë euro.
Në total, 11 kontrata janë dhënë pa garë dhe me të njëjtin operator ekonomik, gjë që sipas PD krijon monopol dhe ngre dyshime për abuzim me fondet publike.
Partia Demokratike i kërkon SPAK të nisë menjëherë hetimet dhe të përgjigjet mbi disa pyetje kyçe, përfshirë respektimin e Ligjit për Prokurimet Publike, rritjen e vlerave të kontratave dhe përzgjedhjen e një operatori të vetëm.
“Paratë e qytetarëve duhet të shkojnë për pacientët, për përmirësimin e shërbimit shëndetësor dhe për furnizimin me medikamente, jo për kontrata që mbushin xhepat e klientëve të pushtetit,” thuhet në deklaratën e PD-së.