Vendosni fjalën kyçe....

Liderët botërorë mblidhen në COP30, Starmer: Konsensusi për klimën ka marrë fund


Kryeministri britanik Keir Starmer ka paralajmëruar se konsensusi global për luftën kundër ndryshimeve klimatike “ka marrë fund”, gjatë fjalës së tij në samitin COP30 që po zhvillohet në Brazil.

Në një ton më të zymtë se ai i Princit William, Starmer theksoi se Mbretëria e Bashkuar mbetet e angazhuar “plotësisht” në përpjekjet për klimën, pavarësisht sfidave politike dhe globale, përcjell BBC.

Princi William, duke folur më herët, paralajmëroi se planeti është “në prag të një pike kritike”, ndërsa Kombet e Bashkuara deklaruan se është “praktikisht e pamundur” të arrihet objektivi ndërkombëtar për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5°C.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, e cilësoi këtë dështim si rezultat të një “dështimi moral dhe neglizhence vdekjeprurëse”.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump nuk është i pranishëm në konferencë, gjë që ka sjellë kritika nga disa pjesëmarrës për mungesën e angazhimit të SHBA-së në këtë forum global.

COP30 po zhvillohet në një moment kritik për klimën, me liderët botërorë të përballur me presionin për të përshpejtuar veprimet konkrete për reduktimin e emetimeve dhe për të shmangur pasojat më të rënda të krizës klimatike.