
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka kërkuar reformim të thellë në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), duke e cilësuar si një institucion të korruptuar që duhet të shembet dhe të ndërtohet nga e para.
Nga foltorja e Kuvendit, Braçe iu referua gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), që zbuluan pagesa për ilaçe të rimbursueshme të lëshuara për persona të vdekur, si dhe lidhje të dyshuara mes mjekëve, farmacive dhe kompanive farmaceutike për promovimin e brandeve të caktuara.
“Gjetjet e KLSH që janë paguar ilaçe të rimbursueshme për njerëz të vdekur, është një element që skema është korruptuar. Gjetja e një lidhjeje në këtë skemë midis mjekëve, pacientëve dhe farmacive për brande të caktuara është alarmante” – tha Braçe.
Ai kërkoi që politika e rimbursimit të ilaçeve të ndryshojë, duke garantuar mbështetje të plotë për qytetarët në nevojë dhe përjashtimin e kompanive që abuzojnë me skemën.
“Mos ka ardhur koha që ndryshimi i kësaj skeme të shoqërohet nga përjashtimi i kompanive që korruptojnë skemën?” – përfundoi Braçe.