
Kryeministri Edi Rama ka kujtuar sot Ditën Botërore të Gjuhës Rome me një mesazh përmes rrjeteve sociale, ku ka vlerësuar përfaqësuesen e parë të komunitetit rom në qeveri, zv.ministren Ina Majko.
“MIRËMËNGJES dhe me këtë ftesë të veçantë, në Ditën Botërore të Gjuhës Rome, nga përfaqësuesja e parë e këtij komuniteti në qeveri, zv.ministrja Ina Majko, ju uroj një ditë të mbarë,” shkruan Rama.
Në këtë ditë simbolike, zv.ministrja Majko ka prezantuar një nismë të re që synon të mbledhë kujtime dhe rrëfime personale nga anëtarët e komunitetit rom në Shqipëri.
“Sot është Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Rome, një ditë për të kujtuar se gjuha jonë nuk është thjesht fjalë, është kujtesë, rrënjë, histori,” u shpreh Majko.
Ajo tha se mbi 10 mijë njerëz flasin romisht në Shqipëri — një gjuhë që, sipas saj, “ka mbajtur gjallë historinë tonë të pashkruar në libra, por të ruajtur në zemrat e njerëzve tanë.”
Përmes nismës së re, Majko u ka bërë thirrje qytetarëve romë që nga 5 nëntori deri më 8 prill të dërgojnë historitë e familjeve të tyre në adresën Oprerroma5@gmail.com, për të krijuar një arkiv të kujtesës kolektive të këtij komuniteti.
“Çdo histori e vogël është pjesë e historisë së madhe. Le ta bëjmë të dukshme, të fortë, të pavdekshme!” – tha Majko.