Vendosni fjalën kyçe....

Ministri austriak: Të sqarohen sa më shpejt çështja e të dhënave personale dhe pretendimet mbi blerjen e votës


Ministri austriak për Çështjet Europiane dhe Ndërkombëtare, Alexander Schallenberg, ka folur lidhur me zgjedhjet parlamentare në Shqipëri ku Partia Socialiste fitoi 74 mandate.

Schallemberg tha se dita e zgjedhjeve ishte e qetë, mirëpo sipas tij duhet të sqarohen sa më shpejt problematikat në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale dhe pretendimet mbi blerjen e votës.

“OSBE, Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë dhe Këshilli i Europës vëzhguan me kujdes zgjedhjet parlamentare në 25 prill. Pesë deputetë austriakë ishin gjithashtu pjesë e ekipeve vëzhguese. Delegacioni i BEsë dhe ambasadat e vendeve anëtare të BE-së në Tiranë morën gjithashtu pjesë në vëzhgim me 50 ekipe në të gjithë Shqipërinë, përfshirë edhe ambasadorin austriak. Siç më kanë raportuar vëzhgueset dhe vëzhguesit, dita e zgjedhjeve kaloi në një atmosferë të qetë. Trajtimi teknik i zgjedhjeve ishte profesional përkundër sfidave në lidhje me pandeminë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kryer detyrën e tij në mënyrë transparente, duke rritur kështu besimin në procesin zgjedhor.

Megjithatë, OSBE, Këshilli i Europës dhe BE adresuan disa çështje problematike që lidhen me kohën para ditës së zgjedhjeve, për shembull në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale dhe pretendimet mbi blerjen e votës. Unë mendoj se është e rëndësishme, që të gjitha pikat e përmendura të sqarohen shpejt dhe në mënyrë të plotë. Thënë të gjitha këto, ne në Austri jemi të lumtur të punojmë me të gjitha forcat politike në Shqipëri – me qeverinë e re që do të formohet si dhe me deputetët e sapo zgjedhur të të gjitha grupeve parlamentare.”– tha Schallenberg në një intervistë për gazetën Panorama.

Ministri austriak theksoi se mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është sigurisht një kusht paraprak i rëndësishëm në procesin e pranimit në BE. Ai thotë se nga pikëpamja austriake, Konferenca Ndërqeveritare duhet të mbahet “sa më parë të jetë e mundur”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *