
Qeveria e Perusë njoftoi të hënën se ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Meksikën, pasi ish-kryeministrja Betssy Chávez – e akuzuar për përfshirje në përpjekjen për grusht shteti të vitit 2022 nga ish-presidenti Pedro Castillo – ka marrë strehim politik në ambasadën meksikane në Lima, përcjell DW.
“Sot mësuam me habi dhe keqardhje të thellë se ish-kryeministrja Betssy Chávez, e dyshuar si bashkëautore e grushtit të shtetit të tentuar nga ish-presidenti Pedro Castillo, po strehohet në rezidencën e ambasadës së Meksikës në Peru,” – deklaroi ministri i Jashtëm peruan, Hugo de Zela, gjatë një konference për shtyp.
De Zela e përshkroi vendimin e Meksikës si një “akt jo miqësor”, duke shtuar se ndërhyrjet e përsëritura të autoriteteve meksikane në çështjet e brendshme të Perusë e detyruan qeverinë peruane të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Meksikën.
Marrëdhëniet midis dy vendeve janë përkeqësuar që nga dhjetori 2022, kur Pedro Castillo, i zgjedhur me një platformë majtiste, u shkarkua dhe arrestua pasi tentoi të shpërndante Kongresin.
Pas këtij episodi, Meksika i dha azil familjes së Castillo-s, gjë që çoi në dëbimin e ambasadorit meksikan nga Lima dhe tërheqjen e përkohshme të ambasadorit peruan nga Meksika.
Presidentja e atëhershme e Perusë, Dina Boluarte, akuzoi ish-presidentin meksikan Andrés Manuel López Obrador për “ndërhyrje në punët e brendshme të vendit”.
Castillo dhe Chávez dolën në gjyq në mars të këtij viti, të akuzuar për rebelim dhe shpërdorim të autoritetit.
Castillo ndodhet ende në paraburgim, ndërsa Chávez është liruar me kusht. Prokuroria ka kërkuar një dënim prej 25 vitesh për ish-kryeministren, duke e akuzuar për bashkëpunim në planin për shpërndarjen e parlamentit.
Në një deklaratë të mëparshme, Chávez ka mohuar se ka qenë në dijeni të planit të Castillo-s dhe ka hedhur poshtë pretendimet se ka tentuar të arratisej në ambasadën e Meksikës gjatë grushtit të shtetit të dështuar.