
Shtetet e reja anëtare të BE-së mund të vendosen në “fazë prove” për disa vite dhe të përjashtohen nga blloku në rast të regresit demokratik, sipas një propozimi që synon të zbusë shqetësimet se anëtarët e rinj mund të imitojnë Hungarinë pasi të bashkohen me bllokun.
Nxitur nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 dhe nga dëshira për të sjellë edhe vendet e mbetura të Ballkanit Perëndimor në bllok, Komisioni Evropian ka ringjallur një proces zgjerimi që ishte pezulluar për më shumë se një dekadë.
Por ndërsa mbështesin zgjerimin e ndikimit rajonal të BE-së, disa kryeqytete janë kundër idesë që Ukraina, Moldavia dhe Ballkani Perëndimor të shkelin rregullat e bllokut për demokracinë, lirinë e medias dhe pavarësinë gjyqësore pasi të bashkohen e të bëjnë aleancë me Rusinë.
“Nuk dua të mbahem mend si Komisionerja që fut “Kalin e Trojës” të cilët më pas do jenë aktivë pas 5, 10 apo 15 vjetësh,” i tha Financial Times shefja e zgjerimit të BE-së, Marta Kos. Ajo tha se Komisioni po konkretizonte ide si një “periudhë kalimtare; një lloj prove me masa mbrojtëse,” megjithëse shtoi se ato ishin në një fazë të hershme.
“Kemi nevojë për këtë diskutim dhe nuk duhet t’i trembemi atij.”
Të martën, Komisioni publikoi rishikimin e tij vjetor mbi progresin e vendeve kandidate, përfshirë Ukrainën dhe Moldavinë, me Malin e Zi që u vlerësua si vendi me paraqitjen më të mirë në kryerjen e reformave të nevojshme për t’u bashkuar me klubin.
Megjithë këtë progres, Kos pranoi se kryeqytetet e BE-së janë privatisht shumë më të kujdesshme për pranimin e anëtarëve të rinj sesa lënë të kuptohet deklaratat e tyre publike të mbështetjes.
Pjesa më e madhe e këtij sentimenti nxitet nga përvoja e bllokut me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orbán, i cili në mënyrë të përsëritur ka zbutur sanksionet ndaj Rusisë, ka kundërshtuar çdo ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe sipas drejtuesve të BE-së është bërë gjithnjë e më autoritar në vendin e tij, pavarësisht përpjekjeve të Brukselit për të ushtruar presion duke i ndaluar fondet e BE-së.
Kos tha se Komisioni po punonte për propozime që do përfshinin masa mbrojtëse më të forta të sundimit të ligjit dhe mekanizma më efikasë për të pezulluar të drejtat ose përfitimet nëse shkelen vlerat thelbësore. Një vend potencialisht mund të përjashtohet nga klubi në rast të shkeljeve të përsëritura, tha ajo.
Raporti i zgjerimit i së martës thekson se “traktatet e ardhshme të anëtarësimit do duhet të përmbajnë masa mbrojtëse më të forta kundër regresit në zotimet e marra në negociatat e anëtarësimit, si dhe kërkesa për shtetet e reja anëtare për të vazhduar ruajtjen dhe bërjen të pakthyeshme të arritjeve të tyre në fushën e sundimit të ligjit”.
Kjo qasje e re do çonte në kërkesa më të ashpra për anëtarët e rinj krahasuar me ato ekzistuese, përfshirë Hungarinë dhe mund të çojë në ankesa nga Kievi dhe kryeqytete të tjera që aspirojnë të bashkohen se po diskriminohen.
Ukraina dhe Moldavia filluan bisedimet për anëtarësim në BE vitin e kaluar, por Hungaria që atëherë ka kundërshtuar hapjen zyrtare të të ashtuquajturave “klastera” të negociatave në fusha si energjia, konkurrenca dhe sundimi i ligjit.
Komisioni ka vepruar për të anashkaluar veton e Orbán-it duke avancuar punën teknike, në pritje të vendimeve formale politike për të hapur dhe mbyllur kapitujt e negociatave.
“Nuk keni nevojë për Orbán-in për të bërë reformat për procesin tuaj të transformimit,” tha ajo. “Shumë më e rëndësishme është vërtet kalimi nëpër reforma. Dhe ka shumë për të bërë me të dy vendet, Ukrainën dhe Moldavinë.”
Ajo tha gjithashtu se bashkimi i dy vendeve së bashku, gjë që në të vërtetë do të thotë se përpjekjet e Moldavisë për anëtarësim janë penguar nga vetoja e Orbán-it ndaj Ukrainës – ishte “artificial,” duke sugjeruar se ato mund të ndahen nëse është e nevojshme.
Kos hodhi poshtë akuzat se riorganizimi i propozuar do çonte në një anëtarësim të BE-së me “dy nivele” dhe tha se anëtarët e ardhshëm ka të ngjarë të angazhohen për të ruajtur sundimin e ligjit dhe për të shmangur çdo kufizim të vendosur ndaj tyre.
Brukseli gjithashtu dëshiron të rrisë integrimin gradual të vendeve kandidate në programet Evropiane përpara se të bëhen anëtarë të plotë, tha ajo, të tilla si përmes mburojës së demokracisë së bllokut, një nismë e ardhshme politike që synon adresimin e rreziqeve më të rënda demokratike për BE-në.
Komisionerja këmbënguli se vendet kandidate mund t’i bashkohen klubit vetëm pasi të kenë kryer reforma të dhimbshme të brendshme, duke njohur njëkohësisht urgjencën e re për zgjerimin në Evropën Lindore.
“Ne kemi qenë në gjendje ta ndalojmë Rusinë në derën e përparme,” tha Kos, duke iu referuar përpjekjeve të luftës të Ukrainës, fitoreve elektorale pro-BE në Moldavi dhe mbështetjes së gjerë për anëtarësimin në BE në vendet kandidate. Por ajo paralajmëroi se nëse blloku nuk e mban momentumin e zgjerimit, “frika më e madhe që kam, është se atëherë rusët do hyjnë nga dera e pasme”.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT