
Australia do ofrojë të paktën tre orë energji diellore falas çdo ditë për familjet, përfshirë ato pa panele diellore, në kuadër të një programi për kursimin e energjisë që pritet të fillojë në vitin 2026, tha të martën ministri i Energjisë Chris Bowen.
Programi do fillojë në shtetet e Uellsit të Ri Jugor dhe Australisë së Jugut, si dhe në Queensland-in juglindor, përpara se të zgjerohet diku tjetër.
Përdoruesit do ta marrin energjinë diellore falas kur kapaciteti i prodhimit është më i larti, në mes të ditës.
“Njerëzit që janë në gjendje të zhvendosin përdorimin e energjisë elektrike në periudhën e energjisë me kosto zero do përfitojnë drejtpërdrejt, pavarësisht nëse kanë apo jo panele diellore dhe nëse janë pronarë apo me qira, dhe sa më shumë njerëz ta pranojnë ofertën dhe të zhvendosin përdorimin e tyre, aq më të mëdha do të jenë përfitimet e sistemit që ulin kostot për të gjithë përdoruesit e energjisë elektrike,” tha Bowen.
Aksionet e dy prej furnizuesve më të mëdhenj të energjisë elektrike në Australi, AGL dhe Origin Energy, ranë me 3% deri në pasditen vonë.
Rreth katër milionë familje në Australi kanë panele diellore në çatitë e shtëpive të tyre dhe pasditet me diell me kulmin e tyre mund të furnizojnë aq shumë energji saqë çmimet e energjisë elektrike shkojnë në negativ, ndërsa kërkesa maksimale shpesh është disa orë më vonë, duke vënë nën presion rrjetin.
Familjet, përfshirë banorët e apartamenteve, do mund të përfitojnë nga programi edhe pa panelet e tyre diellore.
Në vitin 2022, Bowen vendosi një objektiv prej 82% energji elektrike të rinovueshme deri në vitin 2030, përveç objektivit të legjislacionit për një ulje prej 43% të emetimeve krahasuar me nivelet e vitit 2005.
Konsumatorët që zgjedhin marrëveshjen duhet të kenë një matës të zgjuar dhe do përfitojnë vetëm nëse zhvendosin përdorimin e tyre maksimal në mes të ditës dhe përdorin pajisjet dhe karikojnë automjetet atëherë, shkruan Reuters.