Vendosni fjalën kyçe....

GJKKO jep vendimin, dënohen me burg ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja, Altin Hajri dhe Ahmet Masha


Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) shpalli sot vendimin për ish-deputetin e Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, dhe bashkëpandehurit Altin Hajri e Ahmet Masha, të akuzuar për disa vepra penale të rënda që lidhen me tregimin e sekretit shtetëror dhe korrupsionin zgjedhor.

Sipas vendimit të dhënë nga trupa gjykuese, Çyrbja u shpall fajtor për “tregim të sekretit shtetëror” në disa episode, si dhe për “përkrahje të autorit të krimit” në katër raste dhe për “korrupsion në zgjedhje”.

 Në bashkim të dënimeve, gjykata vendosi për të 3 vite burg, të cilat u reduktuan në 2 vite, për shkak të përfitimit nga gjykimi i shkurtuar.

Ndërkohë, Altin Hajri, i gjykuar në mungesë, u shpall fajtor për “korrupsion në zgjedhje” dhe “tregim të sekretit shtetëror”.

Ai u dënua me 3 vite burg, por edhe për të dënimi u zbut në 2 vite pas aplikimit të procedurës së gjykimit të shkurtuar.

Sa i përket Ahmet Mashës, GJKKO e shpalli fajtor për “tregim të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”. Për të, gjykata vendosi një dënim prej 2 vitesh e 6 muajsh burgim, i cili u reduktua në 1 vit e 8 muaj pas gjykimit të shkurtuar.

Ky vendim i GJKKO-së vjen pas një procesi disa mujor ndaj ish-deputetit socialist dhe bashkëpandehurve të tij, në të cilin Prokuroria e Posaçme kishte ngritur akuza për shpërdorim të detyrës, korrupsion zgjedhor dhe zbulim të informacioneve sekrete gjatë ushtrimit të funksioneve publike.