
Që prej orës 08:30 të mëngjesit të së dielës, kanë nisur homazhet publike në Pallatin e Kongreseve në nderim të ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili ndërroi jetë më 31 tetor, pas disa javësh i shtruar në gjendje të rëndë në spital.
Familjarët e tij të afërt kanë pritur ngushëllimet e dhjetëra qytetarëve të ardhur nga i gjithë vendi, ndërsa në ceremoninë e homazheve kanë marrë pjesë edhe figura të njohura të politikës shqiptare si Fatmir Mediu, Agron Duka, Arben Malajdhe të tjerë.
Në hollin e Pallatit të Kongreseve janë vendosur kurora me lule dhe buqeta pranë arkëmortit të ish-kryeministrit. Në rreshtin e parë të pritjes së ngushëllimeve ndodheshin bashkëshortja e tij Xhoana Nano, fëmijët nga martesa e parë me Rexhina Nano, djali i Xhoanës dhe vetë Rexhina Nano, si dhe bashkëpunëtorë të afërt të liderit historik të së majtës.
Në orët në vijim, trupi diplomatik shqiptar dhe personalitete të larta politike do të nderojnë figurën e Fatos Nanos në pjesën shtetërore të ceremonisë.
Në përfundim të homazheve, kryeministri Edi Rama do të mbajë një fjalë për lamtumirën e fundit ndaj paraardhësit të tij në drejtimin e Partisë Socialiste, ndërsa pritet të flasin edhe bashkëshortja Xhoana Nano dhe djali Sokoli.
Pas ceremonisë shtetërore, Fatos Nano do të përcillet për në banesën e fundit në një ceremoni private familjare.