Vendosni fjalën kyçe....

Shehaj takim me përfaqësuesit e OSBE: Do luftojmë paktin Rama-Berisha për Reformën Zgjedhore



Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të OSBE-së, ku ka shprehur shqetësimin për marrëveshjen Rama-Berisha mbi reformën zgjedhore, të cilën e cilësoi si një përpjekje për të eliminuar alternativat e reja politike në vend.

Shehaj njoftoi se gjatë takimit me ekspertin e zgjedhjeve pranë OSBE-së, Rishi Datta, dhe ekipin e tij, ka paraqitur qëndrimin e partisë së tij kundër paktit politik që, sipas tij, minon demokracinë dhe drejtësinë në Shqipëri.

“Partia Mundësia do të luftojë që të ndalojmë këtë atentat ndaj demokracisë dhe drejtësisë shqiptare,” shkroi ai në një postim në Facebook.

Sipas Shehajt, reforma zgjedhore nuk duhet të jetë produkt i marrëveshjeve të mbyllura mes liderëve politikë, por një proces gjithëpërfshirës që garanton konkurrencë të ndershme dhe përfaqësim real për qytetarët.

Ai ka kërkuar reagim nga institucionet ndërkombëtare për të mbrojtur standardet demokratike në vend.