Vendosni fjalën kyçe....

Nesër ditë zie kombëtare, mbahen homazhe në nderim të Fatos Nanos


Në nderim të ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili ndërroi jetë një ditë më parë, dita e nesërme, 2 nëntor, është shpallur zi kombëtare në të gjithë vendin. Që prej orës 08:30 në Pallatin e Kongreseve do të zhvillohen homazhe publike për t’i dhënë lamtumirën e fundit një prej figurave më të rëndësishme të politikës shqiptare pas viteve ’90.

Në ceremoni pritet të marrin pjesë personalitete të larta të jetës politike dhe publike, përfaqësues nga Kosova, si dhe kryeministri Edi Rama, i cili do të mbajë një fjalë përshëndetëse në nder të paraardhësit të tij në krye të qeverisë.

Pas homazheve, në orën 12:05, trupi i Fatos Nanos do të përcillet me nderime drejt varrezave të Sharrës, ndërsa flamujt kombëtarë në të gjitha institucionet do të ulen në gjysmë shtizë dhe në orën 12:00 do të mbahet një minutë heshtje në respekt të tij.

Familja ka kërkuar të kryejë në privatësi, në shtëpi edhe shërbesën e ritualit ortodoks për Fatos Nanon, i cili ishte i pagëzuar dhe i martuar me Xhoanën në Kishën ortodokse shqiptare.Homazhet do të fillojnë që prej orës 08:30 me pritjen e qytetarëve për t’i dhënë Fatos Nanos lamtumirën e fundit. 

Fatos Nano ndërroi jetë ditën e djeshme në mesditë në një prej spitaleve private në kryeqytet ku po qëndronte prej 24 ditësh.