Vendosni fjalën kyçe....

Këlliçi: Fotoja e Ramës me McGonigal tregon ndikimin e jashtëm në drejtësinë shqiptare



Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, akuzoi në Kuvend kryeministrin Edi Rama për lidhje të dyshimta me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal, duke e cilësuar foton e tyre të përbashkët në shtator 2017 si dëshmi të ndikimit të jashtëm në drejtësinë shqiptare.

Sipas Këlliçit, raporti i Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë amerikane ishte publikuar në gusht të atij viti, dhe McGonigal e kishte përdorur këtë situatë për interesa personale. Ai shtoi se ish-agjenti kishte sugjeruar “mundësi” për vendime të favorshme, përfshirë ndikimin në procesin e vetingut.

“Unë di që kjo foto e Ramës me mikun e tij të ngushtë McGonigal është fundi i tij politik. McGonigal i shkruan mikut të tij: ‘Jam me këtë burrë që ka reformuar drejtësinë’ dhe i thotë se kjo paraqet mundësi për ne. Çfarë mundësish? Që të vendoste gjoba ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve në procesin e vetingut,” tha Këlliçi.

Deputeti demokrat shtoi se përpjekjet e mazhorancës për ta mbyllur çështjen me “forcën e kartonit” nuk do të kenë sukses, duke theksuar se dokumentet dhe komunikimet e McGonigal me bashkëpunëtorët e tij tregojnë për përpjekje për të manipuluar drejtësinë shqiptare.

Këlliçi akuzoi gjithashtu ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, për dhënie dëshmie të rreme, duke thënë se “vetëm një hall i madh e ka detyruar atë njeri të gënjejë në mënyrë të turpshme”.

Ai kërkoi që kryeministri Rama të dalë publikisht dhe të shpjegojë marrëdhënien e tij me McGonigal, duke shtuar se “emri i Ramës përmendet 14 herë në vendimin e gjykatës së Distriktit të Kolumbisë”.