
Xhamajka është përfshirë nga përmbytje masive dhe erëra shkatërrimtare pasi Uragani Melissa mbërriti në bregun jugperëndimor të vendit si një stuhi katastrofike e Kategorisë 5, ndër më të fuqishmet që janë regjistruar ndonjëherë në Oqeanin Atlantik.
Sipas autoriteteve vendase, ujërat e dendura kanë përmbytur rrugët, çatitë janë shkulur dhe gurë të mëdhenj janë rrëzuar në rrugë, ndërsa banorët janë urdhëruar të qëndrojnë brenda dhe të kërkojnë strehë të sigurt.
“Kjo nuk është koha për të qenë të guximshëm,” paralajmëroi Desmond McKenzie, nënkryetar i Këshillit të Menaxhimit të Rrezikut nga Fatkeqësitë në Xhamajka.
Në kryeqytet, Kingston, rrugët janë boshatisur, ndërsa qeveria njoftoi se vendi përballet me uraganin më të fortë që ka goditur ndonjëherë ishullin që nga nisja e mbajtjes së të dhënave meteorologjike 174 vjet më parë.
“Nuk ka infrastrukturë që mund t’i rezistojë një Kategorie 5,” tha Kryeministri Andrew Holness. “Pyetja tani është shpejtësia e rimëkëmbjes.”
Sipas Qendrës Kombëtare të Uraganeve të SHBA-së, Melissa ka regjistruar erëra deri në 185 mph (295 km/orë) dhe presion qendror prej 892 milibarësh, duke barazuar rekorde historike me uraganët Dorian (2019) dhe Uraganin e Ditës së Punës (1935).
Derimë tani janë raportuar të paktën shtatë viktima në Karaibe, përfshirë tre në Xhamajka, tre në Haiti dhe një në Republikën Dominikane, ndërsa një person tjetër rezulton i zhdukur.
Në disa zona të Xhamajkës, përmbytjet kanë arritur deri në 4 metra, ndërsa 240 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike dhe një e katërta e rrjetit të komunikimit është jashtë funksioni.
Autoritetet paralajmërojnë për rrëshqitje të dheut, dëmtime të spitaleve dhe rrezik të lartë për jetën përgjatë vijës bregdetare.
Pas shkatërrimeve në Xhamajkë, Melissa po lëviz drejt Kubës lindore, ku pritet të zbarkojë gjatë natës së sotme ose të mërkurën në mëngjes.
Autoritetet kubane kanë nisur evakuimin e mbi 600 mijë njerëzve, përfshirë banorë të qyteteve Santiago dhe Holguín, ndërsa OKB dhe organizatat jofitimprurëse janë vendosur në gatishmëri me ushqime, ilaçe dhe furnizime emergjente.
Meteorologët paralajmërojnë se stuhia pritet të sjellë deri në 51 cm shi në disa zona të Kubës dhe më pas të vazhdojë drejt Bahamas-it juglindor deri të mërkurën në mbrëmje.
“Ka qenë një përbindësh meteorologjik,” tha eksperti Phil Klotzbach nga Universiteti Shtetëror i Kolorados. “Një stuhi që do të mbahet mend gjatë.”