Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: Opozita do të kërkojë debat në Kuvend për sulmin ndaj News24



Kryetarja e Komisionit të Medias, Jorida Tabaku, deklaroi se opozita do të kërkojë zhvillimin e një debati në Kuvend lidhur me sulmin e ndodhur ndaj televizionit News24 në fillim të muajit gusht.

“Sot kemi dy rezoluta, për AMA-n dhe RTSH-në. Dua të ndaj me ju shqetësimet që dalin nga raporti i OSBE-së dhe ai që pritet nga BE për median,” tha Tabaku, duke theksuar se raporti i ODIHR-it ngriti probleme serioze për pavarësinë e mediave dhe kushtet e vështira në të cilat punojnë gazetarët.

Ajo shtoi se opozita do të vijojë punën për përgatitjen e një pakete të re ligjore që synon forcimin e pavarësisë së mediave.

“Opozita do të kërkojë që të ketë debat për atë që ka ndodhur me News24, një media që është vënë nën presion të hapur nga mazhoranca. Në këtë komision do të kërkojmë të zhvillohet një diskutim jo vetëm për median në tërësi, por edhe në mënyrë të veçantë për rastin e News24,” theksoi Tabaku.