
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar zëvendëskryeministren Belinda Balluku për lidhje të drejtpërdrejta me dështimin e qeverisë në luftën kundër trafikut të drogës, duke e cilësuar Portin e Durrësit si një “strehë të sigurtë për kartelet shqiptare”.
Reagimi i Bardhit erdhi pas prezantimit nga Balluku të Liburn Aliut, ish-ministër i Albin Kurtit, si drejtor i ri i Portit të Durrësit.
Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi publikoi edhe një video ironizuese, duke theksuar se situata në port është pasojë e përfshirjes së strukturave shtetërore në mbrojtje të grupeve kriminale.
Sipas tij, ky është një tjetër tregues i kapjes së institucioneve dhe dështimit të qeverisë për të garantuar sigurinë dhe kontrollin mbi nyjet strategjike të vendit.
Reagimi i Bardhit
Që nën drejtimin e Belinda Ballukut, me bekimin e Edi Ramës, Porti i Durrësit është shndërruar në strehë të sigurtë për kartelet shqiptare të drogës, ky është një fakt i padiskutueshëm. Por, për fatin e keq të Belinda Ballukut, Porti i Durrësit nuk mund të jetë streha e saj nga SPAK-u.
Aktrimi i sotëm sikur asgjë nuk ka ndodhur apo lavdet pa entuziazmin e përhershëm për Edi Ramën nuk do ta shpëtojnë dot nga akuza penale për veprat e saj madhore korruptive.
Edhe pse shumë minore në krahasim me megaaferat e firmosura nga ministrja më e korruptuar në historinë e Shqipërisë, paraqitja të premten e Belinda Ballukut në dyert e SPAK-ut përbën një hap në drejtimin e duhur.