Vendosni fjalën kyçe....

Tre persona plagosen me thika në Lushnjë, dyshohet se konflikti shpërtheu pas konsumimit të alkoolit



Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës, rreth orës 22:30, në fshatin Golem i Madh, njësi administrative Golem, bashkia Lushnje.

Tre persona kanë mbetur të plagosur pas një sherri mes tyre, ku janë goditur me thika, duke përfunduar më pas në spital.

Sipas burimeve nga spitali i Lushnjes, të tre të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin trajtim mjekësor në repartin e reanimacionit, nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor dhe të ruajtur nga forcat e rendit.

Dëshmitarë në vendngjarje kanë treguar se personat e përfshirë kishin qenë duke ngrënë dhe pirë së bashku prej pasdites, para se situata të përshkallëzohej në dhunë.

Policia e Lushnjes ka nisur hetimet dhe po merr në pyetje personat që ndodheshin aty në momentin e ngjarjes. Paraprakisht dyshohet se konflikti ka ndodhur për motive të dobëta, të nxitura nga konsumi i alkoolit.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.