Vendosni fjalën kyçe....

Sulm me dronë rusë në Kiev, 3 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur, mes tyre 6 fëmijë


Një sulm ajror me dronë rusë gjatë natës në kryeqytetin ukrainas ka lënë pas tre viktima dhe 27 të plagosur, ka bërë të ditur kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko.

 Mes të plagosurve janë edhe gjashtë fëmijë, sipas një postimi të tij në Telegram.

Sipas administratës ushtarake të qytetit, “disa” dronë rusë fluturonin mbi Kiev në orët e para të mëngjesit të së dielës, duke shkaktuar panik dhe duke detyruar autoritetet të kërkojnë nga qytetarët që të qëndrojnë në strehime, përcjell The Guardian.

Fragmentet e dronëve goditën një pallat nëntëkatësh në lagjen Desnyansky, duke shkaktuar zjarr në disa apartamente.

Një tjetër godinë nëntëkatëshe në të njëjtën zonë u dëmtua, ku pesë persona u shpëtuan nga ekipet e emergjencës.

Në lagjen Obolonsky, një pallat 16-katësh u godit gjithashtu, duke dëmtuar një apartament.

Ky sulm vjen vetëm një ditë pas një tjetër serie goditjesh me dronë dhe raketa, ku sipas autoriteteve ukrainase, humbën jetën katër persona dhe rreth 20 të tjerë u plagosën.

Ndërkohë, Presidenti amerikan Donald Trump ka minimizuar mundësinë e një samiti me Presidentin rus Vladimir Putin, duke deklaruar: “Nuk do të humbas kohën time.”

Komentet e tij u bënë ndërsa negociatori rus Kirill Dmitriev zhvillonte takime me zyrtarë të administratës Trump, përfshirë të dërguarin special Steve Witkoff. Bisedimet pritet të vazhdojnë edhe të dielën.