
Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Genta Vangjeli, në një deklaratë për mediat nga selia blu, ka denoncuar një rast të ri abuzimi me fondet publike në Bashkinë e Tepelenës, duke kërkuar hetim urgjent nga SPAK për tenderat e dyshimtë të zhvilluar nga kjo bashki.
Sipas PD-së, Bashkia Tepelenë, e drejtuar nga përfaqësues të Partisë Socialiste, është përfshirë në afera që lidhen me përfitimin e fondeve publike nga familjarë të drejtuesve vendorë.
Në deklaratë, Vangjeli tha se me miratimin e kryebashkiakut Tërmet Peçi, drejtuesja Arta Shaha, në cilësinë e Drejtorit Ekzekutiv për aktivitetet kulturore, ka siguruar që bashkëshorti i saj, Çelik Shaha, të përfitojë nga fondet publike nëpërmjet projekteve kulturore, në një vlerë prej të paktën 154 mijë euro.
Opozita ngriti gjithashtu akuza ndaj kandidatit aktual të Partisë Socialiste për Bashkinë e Tepelenës, Gramos Sako, ish-komandant i Gardës së Republikës, duke përmendur edhe përfitime nga kompania “2T shpk”, në pronësi të vëllait të tij. Sipas të dhënave të Spending Data, kjo kompani ka përfituar rreth 103 milionë euro nga kontrata publike, prej të cilave 1.8 milionë euro vetëm nga projektet e ujësjellësit në disa fshatra të Tepelenës.
Sipas PD-së, pavarësisht fondeve të shpërndara, banorët e zonës denoncojnë mungesën e ujit të pijshëm në disa prej fshatrave, duke e cilësuar situatën si një abuzim të hapur me fondet publike.
“Këto fakte janë prova të qarta të abuzimit me fondet publike dhe kërkojnë ndërhyrjen urgjente të SPAK-ut për hetimin e tenderave të dyshimtë të zhvilluar nga Bashkia Tepelenë,” – theksoi Vangjeli.
Në fund, PD u bëri thirrje qytetarëve të Tepelenës të mos pranojnë më “klientelizmin dhe korrupsionin”, por të votojnë për ndryshimin në zgjedhjet e 9 nëntorit.