Vendosni fjalën kyçe....

Jurgen Uldedaj shpallet kampion bote në boks profesionist në versionin IBO, pesha Cruiser



Boksieri shqiptar nga Lezha, Jurgen Uldedaj, arriti një sukses historik, duke fituar titullin kampion bote në versionin IBO, në kategorinë Cruiser. Ai mundi në “O2 Arena” në Londër kundërshtarin kamerunas, Rolly Lambert, pas një përballjeje të fortë 12 raundesh, e vendosur nga vlerësimi i pikëve nga gjyqtarët.

Uldedaj tregoi strategji dhe freski fizike, duke shmangur goditjet e forta të rivalit dhe duke aplikuar gjuajtje të fuqishme dhe precize në kokë dhe trup, që ishin vendimtare për fitoren. Ai fitoi shumicën e raundeve, duke siguruar triumfin në këtë duel të rëndësishëm.

Shumë shqiptarë ishin të pranishëm në Londër për të mbështetur sportistin, i cili stërvitet prej vitesh mes Gjermanisë dhe Anglisë, por vazhdon të garojë me flamurin shqiptar.

Kjo ishte fitorja e 21-të në karrierën profesioniste për Uldedajn, i cili ka vetëm një humbje, duke e bërë atë një nga sportistët shqiptarë më të suksesshëm në boksin botëror.